Shqipëria

Këlliçi: Kam dorëzuar dorëheqjen para 1 muaji, Basha nuk e pranoi


Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një prononcim për Albanian Post ka bërë me dije se, para një muaji e gjysmë, i ka ofruar kryedemokratit Lulzim Basha, dorëheqjen e tij si kreu i këtij grupi.

Deputeti demokrat theksoi se ky i fundit nuk e ka pranuar.

“Unë nuk e kam problem, dal dhe e jap deri nesër dorëheqjen. Kur ndodhi peticioni i të rinjve e kam dorëzuar në tavolinë”, ravijëzoi ai.

Zgjedhjet në FRPD, sipas Këlliçit, ishin shtyrë për këtë shtator për shkak të pandemisë.

“Në 2020 nuk mund të bënim zgjedhje, për shkak se ishte kohë pandemie dhe ndaloheshin grumbullimet. E kemi diskutuar dhe kishim gjykuar që në shtator të këtij viti unë të paraqisja dorëheqjen, ndërsa sekretari i forumit rinor të ndiqte zgjedhjet në çdo strukturë. Do ta shihni dhe në ditët në vijim. Unë e kam mbyllur ciklin tim në forumin rinor. E kam dhënë kontributin tim”.

Ndër të tjera, Këlliçi tha se Basha nuk ka tagrin të zhvillojë zgjedhjet, pasi forumi funksionon në bazë të një statuti.

“Forumi rinor nuk është një grup njerëzish. Unë e kam ofruar dorëheqjen time, për shkak të një krize një muaj më parë. Do kemi aksionin tonë në ditët në vijim. Nuk ka shans të hyj në këtë situatë për të mbajtur karrigen e forumit rinor. Vendimi i Bashës është kontestuar 100%”, deklaroi ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së tij në “Foltore”, e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i FRPD-së tha se ka marrë pjesë me ftesë nga të rinjtë e forumit rinor, ata që kanë ndjekur 13 foltoret në rrethe.

Këlliçi gjithashtu bëri me dije se ka pasur peticion nga të rinjtë e forumit rinor për ta shpallur nul vendimin e Bashës për largimin e Berishës.

“Unë kam pasur diskutime të brendshme. Në 13 foltore, kryetarët e forumeve kanë qenë pjesë e tyre. Gjykoj që, në çdo krizë, duhet të vijë zgjidhja në institucione. Basha ka qenë përfituesi më i madh i pushtetit të demokratëve dhe sot vë shenjë barazie mes Berishës dhe Ramës. Unë me këta të rinj kemi 6 vite që hamë gaz kur shkojmë në protesta”.

Deklarata e Bashës, ku thekson se mandatet e anëtarëve dhe kryetarit të Forumit janë të skaduara, për Këlliçin janë të pakuptimta.

“Është i vetmi forum rinor në Ballkanin Perëndimor që ka çdo anëtar që ka provuar qelinë. Jemi arrestuar dhe kemi çështje penale, për shkak se kemi qenë në protesta për të sjellë Bashën në pushtet. Ky forumi, që ai thotë sot që ka mandate të përfunduara deri më 25 prill, bënte fushatë për të”.

FRPD-ja ka nisur të premten e 5 nëntorit procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve tek të gjitha strukturat.

Kryetari PD-së, Lulzim Basha, udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune, i cili do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4-vjeçar, ndërsa anëtarët e forumit mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore