Lajme

KEDS: Nuk rrisim çmime, ZRRE është ajo që merr vendim për tarifat


Ndërtesa e KEDS

Kompania që merret me shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, përmes një njoftimi zyrtarë ka bërë të ditur se kjo kompani nuk rrit çmime e as nuk është përgjegjës për strukturën tarifore.

Sipas saj, të gjitha palët e interesit, duke e përfshirë edhe KEDS kanë të drejtë t’i dërgojnë propozimet e tyre, por është Zyra e Rregullatorit të Energjisë ajo që i merr vendimet, teksa ka potencuar se heqja e bllok-tarifës në vitin 2017 është përgjegjësi ekskluzive e ZRRE-së.

Sipas KEDS, kostoja e importit nuk u mbulua për muaj të tërë dhe si rrjedhojë e kësaj u shkatërrua krisja e hallkave të zinxhirit elektroenergjetik.

“Borxhi i akumuluar ndaj KOSTT dhe KEK ka ardhur pikërisht nga mosmbulimi i kostove të importit për një kohë të gjatë”, thuhet në njoftim.

Për KEDS, askush nuk ka ndërmarrë asgjë edhe pse ajo ka paralajmëruar qysh në muajin gusht se çmimet e importit po rriteshin ndjeshëm.

“ZRRE e arsyetoi këtë duke thënë ‘çmimet e energjisë elektrike në berza janë spekulative dhe do të bien’, ndërkohë, në praktikë ndodhi e kundërta, ato u rritën tutje. Ne vazhduam ta bartim barrën deri sa na u shterën të gjitha resurset financiare dhe mundësitë. Sikur politikbërësit të vepronin në kohë dhe të merrnin parasysh kërkesat dhe paralajmërimet tona, ne nuk do të vinim në këtë situatë. Ajo do të përballohej shumë më lehtë”, vazhdon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore