Lajme

Kearns, Hovenierit: Ku është ekuilibri, a patëm deklaratë nga ShBA-ja pas kidnapimit të 3 policëve nga Serbia?


Kryesuesja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, i ka reaguar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka theksuar të shtunën se Qeveria e Kosovës po nxit tensione.

“Ku është ekuilibri?”, ka pyetur Kearns përmes një reagimi në platformën X.

“A patëm deklaratë si kjo nga SHBA-ja pas kidnapimit ilegal të tre zyrtarëve policorë nga Serbia?”, ka vazhduar tutje me pyetje ajo.

Kearns ka potencuar se heshtja për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit në Banjë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku mbetet shurdhuese.

 

Të shtunën, ambasadori Hovenier, ka thënë se vendi i tij është i shqetësuar pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës, derisa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit për media.

Tutje ai ka përmendur edhe çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, shtoi ai.

Diplomati amerikan ka potencuar se çështja e strukturave serbe duhet të trajtohet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ka përmendur konfiskimin e dinarëve serbë nga autoritetet e Kosovës të shtunën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore