Lajme

Kean: Kosova është një aleat i rëndësishëm i ShBA-së


Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Tom Kean, gjatë fjalës së tij në Kongresin amerikan, ku po raporton Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë duhet përmendur fakti që Kosova është një aleat i rëndësishëm i ShBA-ve.

“Ne nuk duhet të harrojmë faktin se pavarësisht mosmarrëveshjeve për qasjen aktuale të qeverisë ndaj Serbisë, Kosova është një partner i rëndësishëm i SHBA-së”, pohoi ai.

Për ta argumentuar këtë ai, përmendi edhe rastin e strehimit të afganëve nga Kosova, si kërkesë e SHBA-ve.

“Për shembull Kosova është partnerja e parë që ka ofruar strehim për refugjatët afganë”, theksoi Keans, duke shtuar se edhe Serbia është një partnere e ShBA-së, por përmendi se e njëjta nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, pas agresionit të saj në Ukrainë.

Nuk ka çështje tjetër që e mban prapa Ballkanin Perëndimor, pohon Kean “se sa dështimi për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nën vëzhgimin e kësaj administrate dhuna në Veri të Kosovës kërcënoi një përshkallëzim që mund të përfshinte tërë rajonin. Veprimet e pakoordinuara të kryeministrit Albin Kurti duke përdorur Policinë për të dërguar kryetarët lokalë pavarësisht se u zgjodhën në mënyrë demokratike ishin destabilizuese”.

“Por edhe dhuna nga protestuesit duhet po ashtu të dënohet ashtu si çdo rol direkt apo indirekt që Beogradi ka luajtur në organizimin dhe armatimin e atyre protestave”.

Ndryshe, Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij para Kongresit Amerikan, duke folur për tensionet e krijuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ShBA-të po inkurajojmë të dyja palët që t’i zbatojnë obligimet e tyre, duke iu referuar marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit.

“Po i inkurajojmë të gjitha palët që t’i përmbushin të gjitha obligimet e tyre që janë esenciale për rrugëtimin e tyre evropian”, tha ai.

Ndërkaq, top-diplomati amerikan potencoi se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit “ofron një mundësi të pabesueshme për të dyja vendet për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe afatgjate dhe për të hapur derën drejtë rrugëtimit evropian”.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të pranojë simbolet shtetërore dhe që të përmbahet nga bllokimi i integrimit të Kosovës në çfarëdolloj organizate ndërkombëtare”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Escobar pohoi se nga Kosova kërkohet që të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke shtuar se “ne besojmë që të dyja vendet menjëherë duhet të angazhohen pa parakushte të dyja vendet duhet të fillojnë procesin e tyre të obligimeve pa marrë parasysh çfarëdolloj plani i sekuencimit që nuk është në proces”.

“Po shpresojmë që do të arrijmë progres të konsiderueshëm këtë vit në këtë drejtim”.

Escobar: Po e inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë obligimet e tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore