Lajme

KDI: SHSKUK dëmtoi buxhetin e saj për rreth 42 mijë euro


Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nëpërmjet procedurës emergjente ka dëmtuar buxhetin e saj për rreth 42 mijë euro.

Kjo pasi që bazuar në hulumtimin e këtij institucioni, SHSKUK ka pranuar çmime më të larta se ofertat e pranuar nga e njëjta kompani për maska kirurgjikale.

“Madekos ka ofertuar 0.03 euro në tenderin e hapur, ndërsa në tenderin me procedurë të negociuar, 0.04 euro”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

“SHSKUK ka ftuar vetëm edhe një kompani tjetër për të ofertuar në procedurën e negociuar, por e cila ka dhënë një çmim më të lartë. Si rezultat i kufizimit të konkurrencës, SHSKUK ka pranuar çmime më të larta. Gjithashtu nuk ka ndonjë dëshmi se SHSKUK ka tentuar që të negociojë për të ulur çmimin. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, nënkupton që autoriteti kontraktues duhet të tentojë që të negociojë dhe të ulë çmimin”, vazhdon njoftimi i KDI.

Ndryshe sipas Ministrisë së Shëndetësisë, , më 15 dhjetor të vitit të kaluar ky institucion ka nënshkruar një kontratë me kompaninë Madekos për furnizim me maska kirurgjikale dhe dorëza. Çmimi i kontratës është 150,035 euro me një kohëzgjatje prej 3 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore