Lajme

KDI: Kuvendi të bëhet më proaktiv në ofrimin e zgjidhjeve për krizën soci-ekonomike


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kosova është duke u ballafaquar me një krizë ekonomike, e cila përgjithësisht e reflekton krizën ekonomike globale, por se rritja e çmimeve, fillimisht të energjisë e së fundmi të naftës dhe pothuajse të gjitha produkteve esenciale, ka vështirësuar situatën socio-ekonomike të qytetarëve, andaj ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mblidhet urgjentisht për të ofruar zgjidhje konkrete.

Sipas KDI-së në disa raste, “çmimet janë rritur përtej ndikimit real që kriza ekonomike ka pasur në produkte të caktuara, duke shkaktuar panik te qytetarët”.

“Në një situatë të tillë, përkundër disa propozimeve që janë bërë publike nga aktorë të ndryshëm, përfshirë partitë opozitare, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka pasur debat në nivel politikash, as iniciativa konkrete ligjore lidhur me këtë çështje”, thuhet në një njoftim të KDI-së.

Kjo organizatë kërkon që në këtë periudhë krize nëpër të cilën po kalon vendi, Kuvendi i Kosovës do të duhej të luante një rol proaktiv në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që ka, duke shtyrë përpara politika që përmirësojnë gjendjen ekonomike të qytetarëve, pas rritjes enorme të çmimeve.

“KDI-ja i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë të mblidhet për të ofruar zgjidhje konkrete për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe për të kontribuar në përmirësimin e situatës aktuale socio-ekonomike”, thuhet tutje në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore