Lajme

Katër viktima nga fundosja e një varke me emigrantë pranë Lesbos-it


Një tjetër incident tragjik u regjistrua të hënën e 28 gushtit në ishullin Lesbos, ku katër persona humbën jetën pas fundosjes së një varke emigrantësh në Detin Egje.

Sipas rojes bregdetare greke, 18 të tjerë mbijetuan pasi arritën të shpëtonin varkën në vështirësi, raporton agjencia franceze “AFP”.

Një varkë patrulluese e rojes bregdetare “shpëtoi 22 të huaj në ishullin Lesbos, katër prej të cilëve” ishin të vdekur, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga policia portuale.

“Të gjithë u transferuan në portin e Mytilene, kryeqyteti i Lesbos, kalimi i zakonshëm për emigrantët nga brigjet perëndimore pranë Turqisë”, shtohet në njoftimin për shtyp.

Për momentin autoritetet greke nuk kanë dhënë detaje mbi kushtet e fundosjes apo identitetin e personave.

Policia Portuale Greke me ndihmën e Agjencisë Evropiane të Mbikëqyrjes Kufitare, Frontex, patrullon rregullisht zonën detare në Detin Egje Lindor, përballë Turqisë nga ku shumë emigrantë përpiqen të kalojnë në Greqi shpesh me destinacion Evropën Perëndimore.

Pavarësisht operacioneve të shumta të shpëtimit nga autoritetet greke të varkave në vështirësi, në këtë zonë kanë ndodhur mbytje të shumta anijesh, të cilat shpesh kanë rezultuar me viktima.

Autoritetet greke shpesh akuzohen nga media dhe OJQ-të e të drejtave të njeriut se kanë kryer kthime të paligjshme të emigrantëve në ujërat turke me qëllim që të kufizojnë numrin e mbërritjeve në tokën greke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore