Lajme

Katër amerikanë qëllohen dhe rrëmbehen në verilindje të Meksikës


Katër shtetas amerikanë u qëlluan dhe u rrëmbyen nga persona të armatosur në Meksikën verilindore pasi kaluan kufirin nga Shtetet e Bashkuara me makinë, tha FBI-ja të dielën e 5 marsit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Katër amerikanët, identitetet e të cilëve mbeten të panjohur, kaluan me makinë nëpër qytetin Matamoros, shteti Tamaulipas, të premten duke ngarë një fugon të bardhë të regjistruar në shtetin amerikan të Karolinës së Veriut, tha FBI në një deklaratë.

Deklarata u lëshua nga Ambasada Amerikane në Meksikë.

“Menjëherë pas kalimit të kufirit, persona të armatosur të paidentifikuar hapën zjarr mbi pasagjerët në automjet. Katër amerikanët më pas u vendosën në një automjet tjetër dhe u rrëmbyen nga personat e armatosur”, tha FBI.

Byroja amerikane po ofron një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për çdo ndihmë në shpëtimin e viktimave dhe kapjen e të dyshuarve.

Qyteti i Matomoros, i vendosur menjëherë pas kufirit me SHBA-të, pranë Bronswille në Teksas, është i rrënuar nga dhuna e lidhur me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.

Rrugët në rajonin Tamaulipas konsiderohen më të rrezikshmet në Meksikë për shkak të rrezikut të rrëmbimit dhe zhvatjes nga grupet kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore