Zgjedhjet në Shqipëri

KAS hedh poshtë pretendimet e palëve për pavlefshmëri të votave në Gjirokastër


Komisioni  i Ankimimeve dhe Sanksioneve  ka hedhur poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër.

Ky vendim u mor me shumicë votash, 3-2. Anëtarët kundër rrëzimit ishin Ledio Braho dhe Elvis Cefa.

Pretendimet e hedhura nga palët lidhen me pavlefshmërinë e votave në qarkun Gjirokastër.

Altin Kaziaj, përfaqësuesi i LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, për rrjedhojë edhe shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në të gjithë qarkun.

Ndërsa përfaqësuesi i PD, Marash Logu, tha se ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, në bashkëpunim me Aranit Arapin dhe Ermir Gërxhanin, kishin ngritur një strukturë kriminale të blerjes së votave, përmes parave, ndihmave, por edhe kërcënimeve.

Kreshnik Merxhani, kandidati i pavarur në Gjirokastër tha se “është provuar me pamje filmike që anëtarët e grupit të numërimit, në bashkëpunim edhe me anëtarë të KZAZ, kanë ndërhyrë në tjetërsimin e votës”.

“Për këtë manipulim ka pasur një miratim në heshtje e anëtarëve të KZAZ, e vërtetuar shumë qartë nga pamjet filmike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore