Sport

Karriera e Krasniqit dhe historia e klubit të tij të ri


Ermal Krasniqi tashmë e ka mbyllur transferimin nga Ballkani te skuadra rumune, CFR Cluj.

Sipas “Transfermarkt”, Krasniqi i kushtoi rumunëve 400 mijë euro, shifër kjo afërsisht e njëjtë me rekordin që e mban Arbnor Muja, që ishte transferuar nga Drita te Antwerp në verën e kaluar.

Krasniqi tërhoqi vëmendjen e disa klubeve evropiane, pas paraqitjeve të mira që pati në Ligën e Konferencës, ku e Ballkani e kishte kundërshtar në grup pikërisht Cluj-in.

24-vjeçari i lindur në Malishevë kishte shënuar dy gola dhe kishte dhuruar një asistim në aventurën e grupeve në Conference Leauge.

Ndërkaq, dy gola të tjerë dhe katër asistime ishin kontributi i Krasniqit në kualifikimet në garat evropiane me klubin e Ballkanit.

Megjithatë, para se arrinte te këto suksese, Krasniqi pati një formë shumë të mirë me Ballkanin në sezonin 2021/22, ku ekipi nga Suhareka u shpall kampion i Kosovës për herë të parë në historinë e tyre.

16 gola dhe tre asistime brenda 33 ndeshjeve, ishte kontributi i Ermalit në shpalljen kampion të Ballkanit.

Ndërsa, në total, Krasniqi ka realizuar 39 gola dhe ka dhuruar 17 asistime në 105 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Ballkanit.

Para se të transferohej te Ballkani, Krasniqi luajti edhe për Ferizajin, ku u paraqit në 10 ndeshje dhe shënoi gjashtë gola.

Ndërkohë, para Ferizajit, ai ishte edhe pjesë e Llapit, ndërkaq karrierën e nisi te Feronikeli.

Kush është skuadra e CFR Cluj?

Cluj është një nga skuadrat më të vjetra në Rumani, që u themelua në nëntor të vitit 1907.

Ata janë klubi i tretë në histori me më së shumti trofe, pas Steaua-s së Bukureshtit dhe Dinamos së Bukureshtit.

Cluj deri më tani kanë fituar tetë herë titullin kampion në Liga 1. Ata janë dominues total në vitet e fundit në futbollin rumun, ku pesë kampionatet e fundit i fituan.

Përveç titujve, skuadra e re e Krasniqit e ka fituar edhe nga katër herë Kupën dhe Superkupën e Rumunisë.

Sa i përket garave evropiane, Cluj deri më tani ka marrë pjesë tre herë në grupet e Ligës së Kampionëve dhe nga dy herë në grupet e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Sa i përket renditjes së UEFA-s në sezonin e fundit, Cluj e mori vendin e 61-të, pas Fenerbahce-s, Monaco-s e Lille-s që pozicionohen para tyre.

Momentalisht, Cluj është duke shkuar në rrugë të mirë për ta fituar titullin kampion për herë të nëntë në histori dhe për herë të gjashtë radhazi, pasi pozicionohen në vend të dytë me 44 pikë, një më pak se Farul Constanta e vendit të parë, që përbën një befasi të madhe në futbollin rumun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore