Lajme

Karl Nehammer – kancelari i tretë i Austrisë brenda pak muajve


Austria ka mandatuar kancelarin e tretë në pak muaj dhe ai është ish-ministri i Brendshëm, Karl Nehammer.

Nehammer është i njohur në Austri për qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigracionit.

Zgjedhja e tij erdhi pas një takimi të liderëve të grupit konservator në Vjenë, të premten e 3 dhjetorit.

Politikani 49-vjeçar do të përballet me dy detyra kryesore për ta nxjerrë Austrinë nga kriza politike – emigracioni dhe COVID-19.

Gjatë bisedës me gazetarët pas emërimit të tij, Nehammer tha se do të diskutonte me presidentin e Austrisë dhe partnerët e koalicionit.

Kancelari i ri austriak, Karl Nehammer

Pjesë e diskutimit do të jenë lufta ndaj virusit dhe rivendosja e lirive personale.

Ai gjithashtu u zotua të mbajë politika të rrepta për emigracionin dhe sigurinë.

Tronditje e elitave 

Emërimi i Nehammer erdhi pas dorëheqjes së papritur të Sebastian Kurz nga politika të enjten e 2 dhjetorit.

Ky vendim u pasua edhe nga dorëheqja e ministrit austriak të Financave, Gernot Bluemel.

Nehammer pritet t’i japë fund një epoke të Austrisë që shënon peshën e saj në Bashkimin Evropian.

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz

Kjo, sa i takon çështjeve që variojnë nga politika buxhetore te refugjatët.

Magnus Brunner, sekretari i shtetit në Ministrinë e Energjisë, do të bëhet shefi i financave dhe Schallenberg do të kthehet në rolin e tij të mëparshëm si ministër i Jashtëm.

Sfidë apo detyrë

Detyra më e afërt e udhëheqësit të ri është të ulë shkallët e infeksionit,

Me një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore, Austria ishte vendi i parë në rajon që njoftoi planet për t’i bërë të detyrueshme vaksinat.

Në nivelin politik, Nehammer do të duhet të rindërtojë partinë konservatore ndërsa ajo bie në sondazhe.

Puna e tij mund të rezultojë gjithashtu jetëshkurtër nëse “të Gjelbrit” vendosin të tërhiqen nga koalicioni.

Trazirat në Partinë Popullore do t’u jepnin “të Gjelbërve” bazat për të shkuar në zgjedhjet e treta të parakohshme që nga viti 2017.

Ndërkohë, sondazhet e fundit ngrenë mundësinë e një koalicioni të stilit gjerman me socialdemokratët dhe liberalët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore