Shqipëria

Kapshticë: Tentuan të kalonin mallra kontrabandë/ Tre të arrestuar, mes tyre një doganier


Policia e Korçës ka arrestuar tre shtetas mëngjesin e 10 majit, pasi tentuan të kalim të paligjshëm të mallrave kontrabandë në pikën doganore Kapshticë.

Mes të arrestuarve është edhe një punonjës me detyrë doganier në Kapshticë, shtetasi K. P., 41 vjeç.

Konkretisht të arrestuar janë Xh. H., 57 vjeç, banues në Ersekë dhe F. A., 54 vjeç, banues në fshatin Mollas, Kolonjë.

Në autobusin e linjës Greqi-Shqipëri me drejtues 57-vjeçarn dhe faturino 54-vjeçari  u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme karburanti (nafte), medikamente mjekësore, prodhime letre, pleh kimik, vaj ushqimor dhe vaj automjetesh. Këto mallra shtetasit e mësipërm nuk i kishin kryer detyrimet doganore.

Shërbimet e Policisë, bënë ndalimin e mjetit, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi 41-vjeçari ka shpërdoruar detyrën, duke mos kryer procedurat për zhdoganimin e këtyre mallrave.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore