Lajme

Kandiç për gjykimet në Serbi: Të akuzuarit për vrasjen e 118 civilëve në Pejë s’vijnë në seanca


Natasha Kandiç, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka reaguar lidhur me gjykimet në Serbi për krime lufte.

“Nëse të akuzuarit për krime lufte në fshatrat e komunës së Pejës, ku kanë vrarë 118 civilë si pjesëtarë të VTO UJ-së, nuk vijnë në 3 nga 8 seancat e planifikuara, kjo tregon se gjyqësori është i prishur, që është mbështetur nga fakti se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë në vitin 2014”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore