Lajme

Kancelari i ri austriak: “Paqja në Veri rikthehet me përfundimin e Zgjedhjeve Lokale”


Kancelar i ri austriak, Alexander Schalenberg

Kancelar i ri austriak, Alexander Schalenberg, ka komentuar zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës duke shtuar se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës duhet të parandalohet duke shpresuar se me përfundimin e Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit paqja do të mbizotërojë në atë pjesë të vendit.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja alternativ për ta zgjidhur ngërçin në mes të dy vendeve.

“Ajo që nevojitet është ndërtimi i besimit. Kjo kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit. Përshkallëzimi i situatës midis Beogradit dhe Prishtinës do të na kthente vite mbrapa dhe do të kishte pasoja negative për të gjithë rajonin. Kjo gjë nuk mund të jetë në interesin e askujt” ka thënë Schalenberg, raporton radio televizioni serb, rts.

Kancelari austriak, ka potencuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor nuk është vetëm oborri ynë i brendshëm, por brendësia e Evropës. Nuk ka rajon që është më evropian se Ballkani Perëndimor. Çdo gjë që ndodh atje ka pasoja të menjëhershme për ne”, ka deklaruar ai.

Shcalenberg, mendon se duhet një shtysë më e madhe nga BE, për të anëtarësuar rajonin në bllok pasi sipas tij nëse BE-ja dështon atëherë fuqitë si Kina, Rusia apo Turqia do të zgjerohen në gadishull.

“Ne si BE nuk duhet ta lëmë në vakum Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore