Sport

Kampionët e Evropës do të zhvillojnë miqësore me Shqipërinë


Kampionët e Evropës do të luajnë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë italiane, duke cituar presidentin e Federatës së Futbollit në Itali, Gabriele Gravina.

“Azzurri-t” do të kenë dy teste para fillimit të Kupës së Botës në Katar.

Ekipi i drejtuar nga Roberto Mancini, nuk do të marrë pjesë për të dytin kompeticion prestigjioz radhazi.

“Dy miqësore janë planifikuar gjatë këtyre dhjetë ditëve. Do të kemi një takim gjatë javës për të kuptuar dëshirat e stafit tonë teknik. Me shumë mundësi një miqësore. Ndeshja do të jetë ajo e Tiranës, me Shqipërinë”, u shpreh Gravina gjatë intervistës për Radio Rai Uno.

Presidenti italian i futbollit më pas komentoi fillimin e hershëm të kampionatit të Serie A, i cili mund të përsëritet edhe vitin e ardhshëm në funksion të Kampionatit Evropian të vitit 2024.

“Kishte pak skepticizëm në prag të këtij kampionati, por shqetësimet për temperaturat, avancimet dhe përgatitjet janë fshirë dhe kanë lënë vend për një siguri. Kampionati filloi me një ndjekje të madhe të tifozëve dhe në kushtet më të mira të mundshme. Mendoj se kjo duhet të përsëritet sezonin e ardhshëm, por varet nga propozimet e Serisë A”, shtoi Gravina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore