Lajme

Kamerat e sigurisë të prodhuara në Kinë do të hiqen nga ndërtesat qeveritare australiane


Në Australi, qeveria është zotuar të heqë kamerat e sigurisë të prodhuara nga Kina në ndërtesat qeveritare në të gjithë vendin.

E gjitha me shqetësimin se ekziston një problem i mundshëm sigurie që duhet të adresohet.

Një auditim i pajisjeve të mbikëqyrjes, i kryer nga ministri në hije i sigurisë kibernetike, James Paterson, ka konfirmuar se mbi 900 produkte të prodhuara nga kompanitë kineze Hikvision dhe Dahua janë instaluar në lokacionet qeveritare.

Deri më tan, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë ndaluar këto produkte në lokacionet qeveritare.

Madje, Komisioni Federal amerikan i Komunikimeve ka paralajmëruar për një “rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare” për shkak të spiunazhit të mundshëm.

Richard Marles, ministri australian i Mbrojtjes, ka konfirmuar se një auditim i teknologjisë së mbikëqyrjes është nisur pasi u raportua se të paktën 913 kamera janë instaluar në më shumë se 250 ndërtesa qeveritare.

“Aty ku gjenden ato kamera të veçanta, do të hiqen. Këtu ka një problem dhe ne do ta trajtojmë atë”, ka thënë Marles.

“Nuk mendoj se duhet ta ekzagjerojmë, por është e drejtë të bëjmë vlerësimin dhe të sigurohemi që të merremi me këtë dhe kjo është ajo që do të bëjmë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, çështje të rëndësishme ishin identifikuar dhe qeveria federale ishte e vendosur t’i rregullonte.

Megjithatë, ai nuk ka treguar një afat kohor specifik.

“Rreziku ka qenë padyshim për disa kohë dhe para ardhjes në detyrë, por është e rëndësishme që ta kalojmë këtë ushtrim dhe të sigurohemi që objektet tona janë plotësisht të sigurta”, ka theksuar Marles.

Sakaq, Anthony Albanese nuk beson se heqja e kamerave do të ketë ndikim në marrëdhëniet diplomatike me Kinën.

“Ne veprojmë në përputhje me interesin kombëtar të Australisë, ne e bëjmë këtë në mënyrë transparente, kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të bëjmë”, ka ravijëzuar kryeministri.

Ndërkohë, auditimi i kryer nga Paterson ka zbuluar se ka 195 pajisje vëzhgimi të prodhuara në Kinë të përdorura nga Departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm në 29 vendndodhje.

Po ashtu janë 154 të tjera në Departamentin e Ndryshimeve Klimatike dhe Energjisë dhe 134 në zyrat e shërbimeve sociale.

Paterson ka ngritur gjithashtu shqetësime se mund të ketë kamera Hikvision dhe Dahua brenda Parlamentit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore