Lajme

Kamberi: Momenti që shqiptarët të dalin me kërkesën për vende të garantuara në parlamentin e Serbisë


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke iu referuar tensioneve që ndodhën këtë të marte në kuvendin serb, ka thënë se kjo krizë po e dërgon Serbinë në zgjedhje të reja, dhe se në këtë situatë është “koha për vende të rezervuara” të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

“Kriza e sotme në parlament, qoftë e dirigjuar apo imponuar, po e çon Serbinë në zgjedhje të reja parlamentare dhe zgjedhjet për kryeqytet”, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai theksoi se shkuarja në zgjedhjet e reja parlamentare “po imponon ndryshim të kushteve dhe sistemit zgjedhor”.

“E sistemi i ndryshuar zgjedhor do të duhet patjetër të trajtojë edhe kërkesat dhe nevojat e pakicave”, shtoi.

Ky, sipas tij, do të jetë momenti që shqiptarët të dalin me kërkesën “për vende të garantuara të përfaqësimit në parlament”.

Seanca e 5 shtatorit në parlamentin e Serbisë ka filluar me thirrjet “hajdutë” dhe “jashtë”, me fishkëllima dhe zhurmë, nga deputetët e opozitës drejtuar qeverisë serbe.

Opozita serbe, e cila që disa muaj është duke organizuar protesta me sloganin “Serbia kundër dhunës”, njoftoi se pas pyetjeve parlamentare në seancë, “po bllokon punën e Kuvendit” sepse qeveria “ka katër muaj që hesht për kërkesat e protestuesve”.

Pamje nga seanca e 5 shtatorit ne Kuvendin e Serbise

Në seancën ku mori pjesë edhe kryeministrja Ana Brnabiç, deputetët e opozitës ngritën pankarta dhe filluan të bërtisnin në momentet kur po flisnin përfaqësues të pushtetit, çka bëri që sigurimi parlamentar ta rrethoi zonën ku ishin ulur përfaqësuesit e ekzekutivit serb.

Opozita serbe po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhje në Beograd.

Deputeti opozitar serb, Radomir Lazoviç, në një fjalim para gazetarëve në sallën e parlamentit tha se “kërkojmë urgjentisht shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe të Beogradit deri në fund të këtij viti në mënyrë që opozita, si hapi i parë i saj pas ndryshimit të regjimit progresiv, të përmbushë kërkesat e qytetarëve, përfaqësuesve të opozitës të shpallura më 5 shtator para seancës”.

“Kërkojmë përgjigje të menjëhershme nga presidenti i shtetit, Aleksandër Vuçiç, dhe organizatorët e protestës do ta bllokojnë këtë seancë të Kuvendit derisa të marrim përgjigje për shpalljen e zgjedhjeve”, shtoi, transmeton “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.

Ai theksoi se “qeveria në çdo moment mund të zgjedhë një rrugë tjetër, që është përmbushja e kërkesave të protestës”.

Kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliç, është përgjigjur se “me kënaqësi e pranon dëshirën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje” dhe se për këtë do të njoftojë institucionet kompetente.

“Për këtë do ta informoj Qeverinë dhe Presidentin e vendit, do të kërkoj që të marrim përgjigje në kohën më të shkurtër të mundshme, besoj se mundemi në javët e ardhshme, në 30 ditët e ardhshme”, deklaroi Orliç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore