Lajme

Kamberi: Jemi shumë afër sigurimit të një mandati


Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka deklaruar se janë afër sigurimit të një mandati tjetër të përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – në Kuvendin e Serbisë.

“Jemi shumë afër sigurimit të një mandati, kjo nuk përcaktohet vetëm nga votat që marrim, por nga dalja e përgjithshme, nga fakti se a do të digjet ndonjë listë e partive qendrore të cilat nuk arrijnë të marrin 3 për qind të votave të domosdoshme – sa është kuota e përcaktuar në ligj si pragu natyror për një mandat”, ka thënë ai, duke shprehur mirënjohje për votuesit.

Në zgjedhjet qendrore të Serbisë, kanë marrë pjesë 18 lista zgjedhore, dy prej të cilave janë koalicione të partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci – “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Megjithatë, ka pasur kritika për përçarjen e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve.

E të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në orën 20:00 në mbrëmje. Nuk dihet ende pjesëmarrja e saktë e qytetarëve në zgjedhje. Gjithashtu, nuk janë bërë të ditura as rezultatet preliminare. Zgjedhjet e Serbisë janë monitoruar nga mbi 5 mijë vëzhgues.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore