Sport

Kamada do të jetë përforcimi i parë i Milan-it për sezonin e ardhshëm


Futbollisti i Eintracht Frankfurtit, Daichi Kamada, do të jetë transferimi i parë i skuadrës së Milan-it në afatin kalimtar veror.

Sipas raportimeve në Gjermani, mesfushori sulmues ka rënë dakord për një transferim falas te Milan-i tani që ata janë kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Mesfushori japonez do të jetë një agjent i lirë, pasi që kontrata me klubin gjerman i skadon më 30 qershor, por me sezonin e mbyllur në Gjermani, ai tashmë e ka mbyllur aventurën atje.

Mësohet se për transferimin e tij ishin të interesuar edhe Borussia Dortmund dhe Atletico Madrid, por kuqezinjtë ishin të preferuar për japonezin, derisa kushti i vetëm ishte që ata të kualifikoheshin në Ligën e Kampionëve, gjë që zyrtarisht e arritën në mbrëmjen e kaluar.

Sipas raportimeve në Itali, 26-vjeçari do të nënshkruajë kontratë pesë-vjeçare me kuqezinjtë, derisa testet mjekësore do të kryhen në javën e ardhshme.

Pra, Kamada do të jetë një transferim me kosto zero dhe ai pritet të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon.

Kamada mbush 27 vjeç në gusht dhe kontribuoi me 16 gola dhe shtatë asistime në 46 ndeshje konkurruese këtë sezon me fanellën e Eintracht Frankfurt-it.

Vlera në treg e tij, sipas “Transfermarkt”, e kap shumën e 30 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore