Shqipëria

Kalon me 74 vota marrëveshja për Portin e Durrësit


Me 74 vota pro nga shumica parlamentare dhe kundërshtinë e opozitës, është përmbyllur maratona e punimeve të Kuvendit lidhur me marrëveshjen për Portin e ri turistik të Durrësit.

Pas më shumë se 14 orë diskutimesh lidhur me çëdhtjen, rruga tashmë – edhe pse me miratimin vetëm nga shumica – i hapet projektit madhor, i cili do të shohë investimin prej 2 miliardë dollarësh nga investitori i Emirateve, Muhammed Alabbar.

Projekti për Portin e Durrësit do të zhvillohet nē një sipërfaqe trualli prej 812 mijë e 600 metrave katrorë.

Në të parashikohet të bëjnë pjesë 12 mijë apartamente dhe dy hotele me 850 dhoma në tërësi.

Projekti parashikon gjithashtu 80 mijë metra katrorë hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura, si edhe një gjatësi plazhi prej 700 metrash.

Faza e parë pritet të nisë në vitin 2023 dhe të zgjasë pesē vjet.

Marrëveshja ka njē jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila Qeveria përfton 33.3% të dividentit.

Çfarë ndodhi në seancë?

Në orët e para të seancës, ishte fillimisht opozita, ajo e cila bllokoi foltoren, nën pretendimin se koha e lejuar për të diskutuar ishte shumë e pakët.

Gjashtë orë ishin parashikuar, por një mësymje e foltores nga Sali Berisha dhe deputetët brenda Partisë Demokratike, të cilët e mbështesin, bëri që disktuimet të bëheshin pa limit kohor.

Berisha do të ishte ai i cili do të niste edhe kritikat ndaj marrëveshjes, duke e akuzuar Qeverinë për akte korruptive përmes kësaj marrëveshjeje.

Por, kryeministri Edi Rama, do të merrte fjalën më pas për rreth një orë, duke e quajtur projektin e Portit të ri të Durrësit, si më të madhin të realizuar ndonjëherë dhe historik.

“Po i numëroj orët derisa marrëveshja për investimin më të madh të huaj në vendin tonë të miratohet”, tha Rama fillimisht nga foltorja e Parlamentit.

Teksa, sipas tij, porti aktual, është skandal mjedisor dhe një plagë urbane nga e cila rrjedh një pisllëk prej dekadash. Është ndërfaqja e sotme e asaj zonës kancerogjene, atij malit me plehra e derra të zhdukur në Porto Romano.

Për Berishën gjithsesi, ka shumë paralele mes Portit të Durrësit dhe inceneratorëve, të cilët i ka quajtur si projekte “copy-paste”.

“Djegësit me Marina-Bay janë dy gjëra diametralisht të kundërta por në praktikë janë si një pikë uji e ndarë në dysh. Njësoj si me djegësit, bëhet një procedurë super e përshpejtuar”, shtoi më tej kreu i Partisë Demokratike gjatë fjalës së tij.

Debate të tjera ka pasur edhe mes eksponentëve demokratë e socialistë gjatë zhvillimeve, ku nuk kanë munguar as tonet e ashpra dhe pezullimet nga Parlamenti.

Kështu ka ndodhur me deputetin Petrit Vasili, nga radhët e Partisë së Lirisë, i cili pasi ofendoi kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, u pezullua për pesë ditë nga punimet e Kuvendit.

Humori nuk ka munguar gjithashtu në orët më të vona, në të cilat sërish është përfshirë Balla, me deputeten demokrate Ina Zhupa dhe atë socialist, Toni Gogu.

Gjatë fjalës së Zhupës, Balla dhe Gogu kanë qenë duke ndjekur ndeshjen mes Brazilit dhe Serbisë dhe pas një goli të përfaqësueses braziliane, deputetja demokrate u ka kërkuar kolegëve socialistë të ulin zërin e komentit që po ndiqnin, duke shkaktuar jo pak të qeshura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore