Lajme

Kallëzim penal për ministrin Murati


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për ministrin e Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit ua ka ndalur pagat punëtorëve që janë në grevë.

“Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por t’ua japë atyre që u shërbejnë popullit”, tha Jasharaj gjatë një konference për media.

Kreu i SBASHK-ut u ka bërë thirrje mësimdhënësve që ta vazhdojnë grevën, duke shtuar se ““ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.

“Greva do të përfundojë kur të thoni ju, kur Qeveria t’i zgjidh kërkesat tona. Greva do të përfundojë ashtu siç është shpallur, përmes mediave. E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati, i cili po përdor kërcënime të ulëta. Nëse dorëzohemi, këta nuk kanë me dit me u ndal me veprime të tjera”, shtoi ai.

Të mërkurën, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

Murati, të mërkurën ka njoftuar se ekzekutimi i pagave ju është bërë vetëm për një pjesë të organizatave buxhetore, pra pagat në këtë rast janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuara.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore