Sport

Kaka mund t’i bashkohet Ancelotti-t në stafin teknik të Brazilit


Sipas “La Gazzetta dello Sport”, legjenda e Milan-it, Kaka, mund t’i bashkohet ish-trajnerit të tij Carlo Ancelotti-t në stafin teknik të Brazilit nga qershori i vitit 2024.

Ednaldo Rodrigues, presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, zbuloi të mërkurën se Ancelotti do të marrë drejtimin e kombëtares së Brazilit duke filluar nga Copa America 2024.

Sipas edicionit të shtypur të së enjtes të “ La Gazzetta dello Sport” ish-ylli i Milan-it dhe Brazilit, Kaka, mund t’i bashkohet stafit të Ancelottit brenda një viti.

Rodrigues thuhet se kishte folur me ish-fituesin e Topit të Artë dhe bashkëkombasin e tij, Cafu, gjatë bisedimeve me Ancelotti-n dhe Kaka mund t’i bashkohej ish-trajnerit të tij në vitin 2024.

Ancelotti është nën kontratë me Real Madrid-in deri në qershor të vitit 2024, kështu që ai do t’i bashkohet ekipit kombëtar të Brazilit pas përfundimit të marrëveshjes së tij në kryeqytetin spanjoll.

Ndërkohë, Fernando Diniz do të mbikëqyrë kombëtaren braziliane si trajner i përkohshëm.

Kaka shënoi 95 gola në 270 ndeshje nën drejtimin e Ancelotti-t te Milan-i, duke fituar pesë tituj, duke përfshirë një Scudetto dhe një Champions League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore