Shqipëria

Kadare: Kosova është Shqipëri – një ditë kjo trevë do marrë emrin e vjetër të saj


Ismail Kadare

“Kosova është Shqipëri dhe një ditë e gjithë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj”, ka thënë Ismail Kadare, romancieri dhe poeti më i njohur shqiptar i të gjitha kohërave.

Këto komente Kadare i bëri në një intervistë për “ReportTv”, duke folur për situatën e krijuar në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku ka theksuar se e shqetësojnë konfliktet që trazojnë lirinë e saj.

“Mendimi im është ai mendim logjik i të gjithë njerëzve që e duan vendin e tyre. Uroj lirinë e plotë për Kosovën së shpejti”, ka deklaruar Kadare.

Jashtë kësaj, shkrimtari shqiptar me famë botërore, që së fundmi u dekorua me dekoratën më të lartë të shtetit francez “Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit”, dhe kjo nga vetë presidenti francez Emmanuel Macron, mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë e konsideroi si ngjarje pozitive.

“Mendoj se është një ngjarje shumë pozitive për imazhin e Shqipërisë”, pohoi.

Kadare ka vlerësuar se në këso ngjarjesh, ku Shqipëria, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, synojnë mbështetjen për integrimin në Bashkimin Evropian, dhënia e mesazheve përmes artit dhe vendosja e personaliteteve të kulturës në “vijë të parë” të pritjes së madhe ndikon për mirë.

“Çdo gjë që hedh dritë mbi Shqipërinë, që shpërndan mjegullën, errësirën, keqkuptimet është pozitive”, thekson.

Ndryshe, presidenti francez, Emmanuel Macron, vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, më 16 tetor, e nisi me dorëzimin e dekoratës më të lartë të Republikës së Francës për shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Macron me elozhe e nisi fjalën për Kadare duke rikujtuar se për autorin “të shkruaje do të thotë të luftoje”.

Për presidentin francez, Kadare është nga ata që ia rrëmben çdo fjalë heshtjes, nga ata që çdo roman rrezikonte të ishte epitaf  i karrierës.

“Ju jetuat dhe krijuat si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte i tillë”.

“’Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ solli te francezët një adhurim për ju. Më kanë rrëfyer se ju e njihni pasurinë tonë dhe mund t’ju them se ju jeni bërë për të jetuar në Paris”.

Ai theksoi se Kadare kontribuoi  në zgjimin e madh të popujve që ngritën perden e hekurt.

“Të jeni i sigurt se vepra juaj nuk ka humbur asgjë nga vlera e saj, liria që i mbyllnin gojën ka pëshpëritje më të forta se britmat. Ka treguar atë që bashkon vendet tona në mënyrë të pandashme dhe e mbart kryeministri juaj me shumë talent, këtë dashuri për Evropën”.

Macron i dorëzon Kadaresë dekoratën më të lartë të shtetit francez

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore