Sport

Juventus-i bën ofertën e parë për Firmino-n


Futbollisti i Liverpool-it, Roberto Firmino, ka kohë që pëlqehet nga klubi italian, Juventus.

Siç raportojnë mediat angleze, Juventus-i tani ka bërë ofertën e parë në drejtim të Liverpool-it për ta liruar qendërsulmuesin e tyre.

Mediumi zyrtar i skuadrës angleze raporton që bardhezinjtë kanë ofruar 20 milionë funte për ta bërë të tyrin sulmuesin brazilian.

Mbetet të shihet se a do të pranohet kjo ofertë nga “The Reds” për futbollistin e tyre, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit të ardhshëm.

Pra, edhe ky fakt mund ta bindë Liverpool-in ta shesë sulmuesin brazilian, pasi që në verën e ardhshme me shumë mundësi mund ta humb me parametra zero, duke pasur parasysh që Firmino vështirë që do të qëndrojë në formacionin standard pas ardhjes të Dawrin Nunez.

Kujtojmë që 30-vjeçari është pjesë e skuadrës angleze që nga vera e vitit 2015 kur u transferua nga skuadra gjermane, Hoffenheim për shumën e 41 milionë eurove.

Gjatë këtyre shtatë sezoneve, Firmino ka zhvilluar në total 327 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e kuqe, prej të cilave ka shënuar 98 gola dhe ka dhuruar 67 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore