Sport

Juventus, dëmtimi i Chiesa-s ndryshon planet e merkatos


Juventus-i ka marr një lajm të hidhur pas asaj fitore të jashtëzakonshme 4-3 përballë Roma-s në Serie A. Lojtari më i spikatur i sezonit të kaluar, Federico Chiesa, për shkak dëmtimi e ka humbur pjesën e mbetur të sezonit.

Dëmtimi i rëndë i italianit, ka bërë që planet e “Zonjës së Vjetër” në merkato të ndryshojnë. Një prej emrave më të përfolur për t’u larguar në janar, Dejan Kulusevski, duket se tashmë do të qëndrojë.

Suedezi do të garojë me Federico Bernardeschi-n për një vend në krahun e majtë të sulmit.

Ndërkohë, duke parë vështirësitë në fazën sulmuese, qendra e re e sulmit që synohet është iraniani, Sardar Azmoun-i.

Sipas torinezez “Tuttosport”, 27-vjeçari i Zenit-it, i cili u përballë me Juventus-in në fazën e grupeve të Champions Legue këtë sezon, ka vetëm gjashtë muaj kontratë me rusët.

Vlera aktuale në treg e Azmoun-it është rreth 25 milionë euro. Por, sigurisht që në Torino do të shkonte për më pak se gjysma e asaj vlere.

Këtë sezon, 27-vjeçari numëron shtatë gola dhe katër asiste në 15 paraqitje në Premier Liga-n ruse.

Në Champions numëron dy gola në pesë paraqitje. Një gol e shënoi kundër Juventus-it në atë humbje 4-2 të rusëve në Torino. Dhe golin tjetër e shënoi në barazimin 3-3 në Shën Petersburg përballë Chelsea-t, ku i dha mundësinë Juventus-it të merrte vendin e parë në grup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore