Shqipëria

“Jugu më afër”, çelet zyrtarisht aksi rrugor Kardhiq-Delvinë


Mes këngëve dhe valleve është çelur zyrtarisht me një ceremoni zyrtare aksi rrugor Kardhiq-Delvinë.

Të pranishëm në inaugurim janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë.

Banorët e zonës e pritën kabinetin qeveritar me traditat që përfaqësojnë krahinën e tyre.

Teksa Kryeministri e përshkoi tunelin takoi banorët, të cilët shprehën ngazëllimin për rrugën e përfunduar.

Kujtojmë që Balluku gjatë inspektimit të tunelit të Skërficës më 5 qershor deklaroi se aksi Kardhiq-Delvinë do të jetë i aksesueshëm më 2 korrik.

Asokohe zyrtarja shqiptare theksoi se ky aks ishte parashikuar që sipas kontratës të përfundonte në vjeshtë, por u dorëzua para afatit disa muaj përpara.

Duke e cilësuar si “frymëmarrje”, Balluku nga Skërfica shtoi se kështu jugu i vendit do të jetë më afër qytetarëve.

“Në tunelin e Skërficës punimet janë drejt përfundimit, duke përmbyllur plotësisht këtë vepër të shumëpritur e cila shkurton kohën e udhëtimit, si dhe rrit sigurinë rrugore, drejt bregdetit të Sarandës, duke nxitur kështu zhvillimin e mëtejshëm turistik të gjithë zonës”, do të shprehej Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërsa Berberi pati deklaruar se krahas rrugës Kardhiq-Delvinë do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i dy rrugëve, asaj të Fushëbardhës dhe Senicës, për t’i lidhur këto dy fshatra me rrugën kryesore.

Në daljet e saj publike Balluku ka vënë theksin se po punohej me ritme të shpejta që kjo rrugë të ishte e hapur për qarkullim, pikërisht më 2 korrik.

Sa do të shkurtohet rruga?

Rama, theksonte se falë hapjes së tunelit të Skërficës do të shkurtohet me tre orë rruga nga Tirana në Sarandë.

Aksi Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 37 km. Ndërsa tuneli i Skërficës në aksin Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 1.3 km.

Gjithashtu shoqërohet edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 metër, “duke përmbushur kështu të gjitha kushtet e sigurisë”.

Projekti për këtë aks ka nisur që në vitin 2007, por punimet hasën probleme. Gjatë viteve të fundit, ecuria e punimeve ka avancuar me hapa të shpejtë.

Sipas ministres ky aks përbëhet nga tetë lote dhe pritet t’u shërbejë jo vetëm interesave të turizmit, por edhe banorëve të më shumë se 20 fshatrave në luginën e Kardhiqit dhe atë të Rrëzomës në Delvinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore