Shqipëria

Balluku në tunelin e Skërficës: Aksi Kardhiq-Delvinë hapet për qarkullim më 2 korrik


“Punimet për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, janë drejt përfundimit. Duke nisur nga data 2 korrik parashikohet që ky aks të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve”

Kështu ka deklaruar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ku së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndoqën nga afër punimet dhe ecurinë e tyre në tunelin e Skërficës.

Ministrja Balluku vlerësoi punën e bërë deri më tani duke shtuar se ndërtimi i këtij segmenti rrugor, jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit dhe rrit sigurinë rrugore, por t’i japë një zhvillim akoma edhe më të madh turizmit, si për zonën e Sarandës ashtu edhe atë të Gjirokastrës.

“Me përfundimin e këtyre metrave të fundit që kanë mbetur për betonim ne kalojmë në pjesën tjetër, atë të asfaltimit të aksit hyrës dhe aksit dalës të këtij tuneli dhe të të gjithë tunelit, vijëzimin dhe gjithçka tjetër do të duhet”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Berberi bëri me dije se kanë mbetur për t’u betonuar 200 metrat e fundit të tunelit. Krahas rrugës Kardhiq-Delvinë do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i dy rrugëve, asaj të Fushëbardhës dhe Senicës, për t’i lidhur këto dy fshatra me rrugën kryesore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore