Shqipëria

Balluku: Hapet tuneli i Skërficës


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar ecurinë e punimeve në tunelin e Skërficës të hënën e 23 gushtit.

Ajo ka bërë me dije se, tuneli është i përfunduar dhe i hapur, ndërsa kanë ngelur edhe disa elementë të tjera për t’u finalizuar.

Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore.

“Përfundimi i kësaj vepre i shkurton me tre orë rrugën nga Tirana në Sarandë”, bën me dije kryeministri Rama.

Aksi Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 37 km.

Ndërsa tuneli i Skërficës në aksin Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 1.3 km.

Gjithashtu shoqërohet edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 metër, “duke përmbushur kështu të gjitha kushtet e sigurisë”.

Projekti për këtë aks ka nisur që në vitin 2007, por punimet hasën probleme. Gjatë viteve të fundit, ecuria e punimeve ka avancuar me hapa të shpejtë.

Sipas ministres, “ky aks përbëhet nga 8 lote, 3 kanë përfunduar, ndërsa lotet e tjera janë pranë përfundimit. Duam që të përfundojë përpara gushtit 2022”, tha ministrja.

Ky aks rrugor pritet t’u shërbejë jo vetëm interesave të turizmit, por edhe banorëve të më shumë se 20 fshatrave në luginën e Kardhiqit dhe atë të Rrëzomës në Delvinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore