Përballje

Josh Warrington theu nofullën në fitoren ndaj Kiko Martinez-it


Britaniku Josh Warrington nokautoi në mënyrë sensacionale Kiko Martinez-in të Spanjës në raundin e shtatë për t’u shpallur për herë të dytë kampion i IBF-së në pesha të lehta.

Gjatë mbrëmjes të së shtunës në Leeds, 31 vjeçari shfaqi një ndeshje madhështore para publikut të tij, duke e shkatërruar spanjollin Martinez.

Mirëpo, kjo fitore nuk doli të jetë aq e lehtë për Warrington-in, pasi që ai theu nofullën gjatë kësaj ndeshjeje.

Menjëherë pasi përfundoi meçi, Warrington u dërgua me urgjencë në spital nga frika se kishte pësuar lëndime të rënda.

Dhe ato u vërtetuan me një skanim, të cilat i publikoi promovuesi Eddie Hearn, i cili përmes një foto të publikuar rreth orës 4 të mëngjesit, konfirmoi thyerjen e nofullës të Warrington-it.

Së bashku me fotografinë e publikuar, Hearn shkroi: “Konfirmoj nga spitali se Josh ka thyer nofullën në fitoren e mahnitshme të tij ndaj Kiko Martinez-it”.

Kujtojmë që dy boksierët ishin takuar në një meç edhe gjatë vitit 2017, dhe Warrington kishte fituar me pikë pas 12 raundeve.

Por, Martinez i kishte kërkuar ‘rematch’ menjëherë pas meçit, i cili nuk ndodhi deri në mbrëmjen e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore