Lajme

John Bolton ka ndihmuar në përpjekjet për grusht shteti në vendet e huaja


Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-ve, John Bolton, deklaroi të martën e 12 korrikut se kishte ndihmuar në planifikimin e tentativave për grusht shteti në vendet e huaja.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar komentet e ish-ambasadorit për multi-medialin “CNN”.

Duke folur me prezantuesin e CNN, Jake Tapper, Bolton sugjeroi se Trump nuk ishte mjaftueshëm kompetent për të kryer një “grusht shteti të planifikuar me kujdes”.

“Si dikush që ka ndihmuar në planifikimin e grushteve të shtetit – jo këtu, por ju e dini (në vende të tjera – kërkon shumë punë. Dhe kjo nuk është ajo që Trump bëri”, u shpreh fillimisht ish-këshilltari amerikan.

Tapper e pyeti Bolton-in se cilat përpjekje i referohej.

“Unë nuk do të hyj në detaje”, shtoi Bolton, përpara se të përmendte Venezuelën. “Doli që nuk ishte i suksesshëm. Jo se kishim shumë të bënim me të, por kuptova se çfarë duhej që një opozitë të provonte të rrëzonte një president të zgjedhur ilegalisht dhe ata dështuan”.

Bolton i bëri komentet pas seancës dëgjimore të ditës në Kongres për sulmin e 6 janarit e vitit të kaluar në Kapitolin e SHBA-ve.

Ligjvënësit e panelit akuzuan të martën ish-presidentin Donald Trump për nxitjen e dhunës.

Kjo, në një përpjekje të fundit për të mbetur në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020.

Në vitin 2019, Bolton mbështeti publikisht thirrjen e liderit të opozitës venezueliane, Juan Guaido, që ushtria të mbështeste përpjekjet e tij.

Kjo, për të rrëzuar presidentin socialist Nicolas Maduro, duke argumentuar se rizgjedhja e Maduros ishte e paligjshme. Por në fund, Maduro mbeti në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore