Lajme

Jetë a vdekje në 15 minuta


26 mijë ditë.

Kjo është koha që i duhet një njeriu për të zbuluar veten, të justifikojë ekzistencën e tij, t’i japë kuptim ose të paktën të përpiqet, të dashurojë, të luftojë, të riprodhohet ose, nëse vërtet nuk mund të bëjë asgjë tjetër, të humbasë veten.

15 minuta.

Kaq i jepen një të pandehuri që rrezikon dënimin me vdekje përpara një gjykate të të ashtuquajturës drejtësi në Iran.

Këto janë edhe minutat në fazën përfundimtare të procesit kundër 22-vjeçarit Mehdi Karami-t, kampion karateje, i varur në 7 janar.

15 minuta është periudha në të cilën, sipas një fraze që i atribuohet rëndom Andy Warhol-it, të gjithë do të lejohen të jenë të famshëm në botë.

Dhe Karami u bë një prej tyre, për arsye të gabuara.

15 minuta është dimensioni hapësirë-kohë i një qyteti që konsiderohet ideal, i mbyllur në një diagram rrethor, në të cilin gjithçka thelbësore mund të arrihet brenda këtij kufiri maksimal.

Distanca midis sallës së gjyqit dhe shtëpisë që do të lirohet ose burgut në të cilin do të ekzekutohet. Në Teheran, shigjeta tregon vetëm një drejtim të mundshëm.

15 minuta është koha për një Ted Talk për të ekspozuar një teori inovative magjepsëse. Për një intervistë pune, në të cilën bindet një menaxher i burimeve njerëzore për kandidatin e duhur për pozicionin e lirë të punës.

Po a mund të jetë edhe koha e nevojshme për të ekspozuar pafajësinë, për të bindur trupën gjykuese, për të folur për koncepte si liria dhe drejtësia?

Sigurisht jo në Iran, jo tani.

Jo në gjykatat e regjimeve ku gjyqtarët hyjnë me një dënim tanimë të marrë dhe asnjë fjali e shkruar nuk mund të jetë e drejtë, edhe nëse përmban të vërtetën e fakteve.

Ato procesverbale nuk përdoren për t’iu drejtuar gjykatës apo publikut. Ato bëhen një testament, një akt që njeriu shpreson se do të gjejë ndonjë noter të gatshëm ta zbulojë në mënyrë që të arrijë.

Edhe në Rusi ndiqet thuajse i njëjti zhanër.

Deklarata e fundit u jepet të gjithë të pandehurve përpara se ata të kalojnë në mënyrë të pashmangshme në gjendjen e të dënuarit.

Në një libër me titull “Mbrojini fjalët e mia” janë mbledhur fjalitë e shqiptuara në 25 rrethana të tilla që nga viti 2017.

S’ka vetëmbrojtje: “Unë nuk jam shenjtor, por që fëmijë kam mësuar të mos them gënjeshtra dhe këtu dëgjova shpifje të paturpshme”, Ilya Sakursky.

Krenari: “Unë nuk kam frikë të kritikoj shtetin, e vetmja frikë është të mos e bëj atë, nëse askush nuk e bën”, Svetlana Prokopeva.

Sfidë, siguri: “Lufta është bijë e tiranisë, kushdo që dëshiron të luftojë, duhet të luftojë vetëm tiranët”, Aleksei Nanalny, duke cituar Tolstoin, i pushtuar më kot nga zëri i gjykatësve.

Dhe një shënim për të ardhmen e afërt: “I uroj kësaj gjykate mençuri. I uroj të gjithë atyre që do të goditen nga vala e re e represioneve të rezistojnë”, Aleksei Gorinov.

Ndoshta nuk do ta dimë kurrë se çfarë ka thënë Karami dhe të tjerët si ai me të njëjtin fund.

Nëse torturat i dobësuan deri në dorëzim dhe heshtje, nëse iu nënshtruan farsës apo gjetën forcën të përdorin 15 minutat jo për të mbrojtur veten, por për të akuzuar.

Vlen të përmendet një nga thëniet më të famshme në histori. Bartolomeo Vanzetti ia doli më 9 prill 1927, përpara se të dënohej me vdekje nga një gjykatë amerikane.

“Nuk do t’ia dëshiroja as një qeni apo gjarpri, krijesës më të mjerë dhe fatkeqe në tokë, atë që duhej të vuaja për gabimet që nuk bëra. Por bindja ime është e ndryshme: se unë kam vuajtur për gabimet që kam bërë në të vërtetë, për idetë e mia… por jam aq i bindur se kam të drejtë që nëse do të kishe fuqinë të më vrisje dy herë, do të rilindja po dy herë, do të jetoja sërish për të bërë pikërisht atë që kam bërë deri tani”.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore