Lajme

Jeremiç: Qëndrimi i Vuçiçit në pushtet do të thotë anëtarësim i Kosovës në OKB


Vuk Jeremiç

Kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Vuk Jeremiç, në një intervistë për gazetën serbe “Danas” të hënën, ka vlerësuar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS), aktualisht në pushtet, në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të nënkuptonte anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

“Nëse pushteti do të mbizotërojë, me ose pa pakt paszgjedhor me një pjesë të opozitës pro-perëndimore, do të zbatohet plani franko-gjerman, gjë që nënkupton se Kosova do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Kjo do të çonte në krijimin ‘Shqipërisë së Madhe’”.

Në pyetjen se cili do të ishte “suksesi” i SNP-së në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ai ka theksuar se do të ishte i kënaqur vetëm nëse krijohen kushtet për refuzimin e të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe ndalimin ligjor të nxjerrjes së litiumit.

“Vijat tona të kuqe janë të përcaktuara shumë saktë. E para është qëndrimi ndaj Kosovës që nënkupton refuzimin e planit franko-gjerman. Së dyti, ndalimt i qartë i minierave të litiumit, i cili do të kërkojë një nivel të lartë vendosmërie politike dhe ekspertizë diplomatike. Së treti, ndryshimi i sistemit të vlerave dhe menaxhimit”, ka shtuar Jeremiç.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e tensioneve pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore