Lajme

Jeremiç inicion referendum për planin franko-gjerman, kërkon 100 mijë nënshkrime


Vuk Jeremiç

Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiç, në një intervistë për televizionin serb “N1”, tha se një referendum për planin franko-gjerman është e vetmja mënyrë për të parandaluar, siç e vlerësoi ai, rënien në humnerë dhe një katastrofë kombëtare që çon në copëtimin e Serbisë dhe më pas krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

“Akti i tradhtisë së lartë kundërshtohet nga të paktën 80 për qind e qytetarëve dhe qeveria nuk do të mund të vidhte rezultatet e referendumit. Kombi është bartës i sovranitetit dhe është i kërcënuar nga veprimet e Aleksandër Vuçiç-it. Sanksionet dhe ndalimi i rrugës evropiane të Serbisë janë kërcënime me armë boshe”, tha Jeremiç.

Jeremiç shtoi se Partia Popullore ka nisur një iniciativë për shpalljen e referendumit dhe se tash është e nevojshme të mblidhen 100 mijë nënshkrime për tre muaj, ku më pas Kuvendi i Serbisë, sipas tij, duhet me forcën e ligjit të caktojë një seancë për shpalljen e referendumit.

“Duke pranuar verbalisht planin ‘Scholz-Macron’ i është bërë dëm i madh interesave kombëtare dhe Serbia është sjellë në buzë të humnerës në kontekstin e integritetit territorial, sepse do të jetë e vështirë të rihapet teksti për të cilin është rënë dakord dikur”, tha Jeremiç.

Kreu i Partisë Popullore deklaroi se kërcënimi më i madh për të ardhmen evropiane të Serbisë është qëndrimi i Vuçiç-it në pushtet dhe se nëse e nënshkruan marrëveshjen do të marrë duartrokitje nga Perëndimi e që do të thotë se Serbia “nuk do të mund ta heqë qafe atë për vite me radhë”.

“Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, u largua në mënyrë radikale nga Rusia dhe iu drejtua integrimit euroatlantik, kështu që për 10 vitet e ardhshme ai kishte mbështetjen e plotë të Perëndimit”.

“Shpresoj se ajo epokë do të përfundojë pas dy javësh në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, por u deshën plot 10 vjet që Gjukanoviç të dërgohej në pension politik”, deklaroi Jeremiç.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore