Lajme

“Jepja atij që flet në televizion” – asistentja e OVL-UÇK-së dëshmon për pakot me dokumente të Speciales


Aida Miftari

Gjatë ditës së enjte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po dëgjohet asistentja teknike e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aida Miftari, në rastin e gjykimit të krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Miftari duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit në Gjykatën Speciale ka treguar për momentin kur në zyrat e OVL-UÇK-së ishin dërguar disa pako për të cilat thuhej se ishin dokumente të Speciales.

Miftari, ka bërë të ditur se pakoja me dokumente për herë të parë ishte dërguar me shtatë shtator rreth orës 10:00 të mëngjesit në zyrën e OVL-UÇK-së.

“E kamë parë një njeri të panjohur në korridor të cilit nuk ia kamë dalluar fytyrën, e la pakon dhe më tha ‘jepja atij që flet në televizion’”, ka thënë Miftari.

“Pastaj, shkova në zyrën e Gucatit, aty ishte edhe Nasim Haradinaj, Faton Klinaku dhe Çel Gashi. Aty u drejtova të gjithëve dhe u tregova. Ata më pyetën se kush ishte unë ju thash një person që i kishte rrobat me ngjyrë të mbylltë, ishte e pamundur t’i shihja tiparet e fytyrës kishte maskë mjekësore, mbante kapelë besjbolli dhe syze”, ka shtuar ajo.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Sipas Miftarit, personi i pa identifikuar i cili ka sjellë pakon e dytë me dokumente të Speciales në zyrat e OVL-UÇK-së dallonte nga ai i pari.

“Me 16 shtator 2020 u soll edhe një dërgesë tjetër njeriu që i solli ato paketa ishte ndryshe nga ai që i solli herën e parë, ishte më i gjatë se njeriu i parë njëjtë mbante maskë, syzë dhe kapelë bejsbolli. Kurrë nuk e kam parë çfarë mbanin paketat. Edhe paketa e dytë më la të frikësuar. Edhe tani frikësohem të qëndroj vet në zyrë”, ka shtuar ajo

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore