Kosova

Jemi të përkushtuar t’i mbështesim mediat e pavarura, thotë Hovenier


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, në konferencën ndërkombëtare për siguri kibernetike “Cyber ZERO”, ka theksuar se janë të përkushtuar që t’i mbështesin mediat e pavarura dhe shoqërinë civile.

“SHBA-të ndihmuan në sponsorizimin e kësaj konference sepse jemi të përkushtuar të mbështesim mediat e pavarura si dhe shoqërinë civile, dhe sepse ne e konsiderojmë lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes si të drejta themelore, të nevojshme për të çuar përpara demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, tha ai.

“Jemi të përkushtuar të mbështesim Kosovën në shfrytëzimin e burimit të saj më të rëndësishëm – rininë e saj – dhe duke përfshirë ekspertizën e tyre në çështjet kibernetike. E di që shumë këtu identifikohen si ‘hakerë etikë’.

Ai ka theksuar se është i sigurt se bashkëpunimi dhe trajnimi do të kontribuojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në suksesin e saj ekonomik.

“Mezi pres t’i dëgjoj historitë tuaja të suksesit teksa “hakoni” për të mbrojtur gazetarët e pavarur të Kosovës dhe për të ndërtuar njohuri të përbashkëta në këtë sferë kritike të jetës moderne”.

“Unë dua të inkurajoj mediat këtu sot që të përfitojnë nga kjo mundësi për të reflektuar se ku mund t’ju duhet të forconi mbrojtjen tuaj kibernetike dhe të merrni këshilla dhe mbështetje nga ekspertët teknikë”.

AGK: HRW sjell në pah klimën e rënduar e të bërit gazetari në Kosovë

Ndryshe, më 12 janar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka komentuar raportin e Human Rights Watch (HRW).

Sipas AGK-së, “HRW sjell në pah klimën e rënduar të të bërit gazetari në Kosovë”.

Nga ky Asociacion, edhe një herë është theksuar gjuha e përdorur e bashkëshortit të presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Albin Kurti, Luan Dalipi.

“Në raportin për Kosovën, rëndësi e veçantë iu kushtua kushteve të punës së gazetarëve, ku u vu theks mbi sulmet, kërcënimet dhe ngacmimet në drejtim të tyre. Raporti e vë në pah gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit të kaluar iu referua mediave dhe gazetarëve  si “Organizatë e Përbashkët Kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore