Lajme

AGK: HRW sjell në pah klimën e rënduar e të bërit gazetari në Kosovë


Ilustrim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka komentuar raportin e Human Rights Watch (HRW), i cili është publikuar më 12 janar të 2023.

Sipas AGK-së, “HRW sjell në pah klimën e rënduar të të bërit gazetari në Kosovë”.

Nga ky Asociacion, edhe një herë është theksuar gjuha e përdorur e bashkëshortit të presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Albin Kurti, Luan Dalipi.

“Në raportin për Kosovën, rëndësi e veçantë iu kushtua kushteve të punës së gazetarëve, ku u vu theks mbi sulmet, kërcënimet dhe ngacmimet në drejtim të tyre. Raporti e vë në pah gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit të kaluar iu referua mediave dhe gazetarëve  si “Organizatë e Përbashkët Kriminale”.

“Si dhe gjuhën denigruese të Luan Dalipit, Shefit të Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i quan mediat “biznese kriminale” . Z. Sadriu në shkurt, ndërsa z. Dalipi në mars këto pastime i bënë në rrjetin social “Facebook”.

Të njëjtit kanë thënë se nga HRW është bërë i ditur “ambienti armiqësor” për gazetarët në Kosovë.

Në raportin e HRW këto deklarata u cilësuan si shtytëse për krijimin e një ambienti armiqësor për gazetarët, ku ndër të tjera u tha se “deklarata të tilla rrezikojnë të ulin besimin e publikut në media dhe se po krijojnë ambient armiqësor për gazetarët”.

Disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW), ka përmendur në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovën, janë tensionet e shkaktuara në Veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë.

Në raport tek pjesa e Kosovës është trajtuar edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, “reagimi i dobët i organeve të shtetit”.

Në periudhën janar-gusht 2022 theksohet se nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk janë përfshirë në raportin vjetor të organizatës.

Në raportin e 33-të, HRW monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.

Raporti i Human Rights Watch kritikon gjuhën kërcënuese të burrit të presidentes ndaj gazetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore