Kosova

Javën e ardhshme Kosova dërgon pakon e parë me ndihma ushtarake për Ukrainën


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova, gjatë javës së ardhshme, do ta dërgojë paketën e parë me ndihma ushtarake për Ukrainën – e cila është në luftë me Federatën Ruse – ku përfshihen kamiona taktik e autoblinda ushtarake.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, pasi që ka marrë pjesë në takimin e 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Ramstein të Gjermanisë.

Në këtë takim, ministri ka theksuar se shteti që ai përfaqëson qëndron i palënkundur në mbështetjen e luftës së drejtë të popullit të Ukrainës dhe do të mbështesë atë deri në fitoren përfundimtare.

“Ministrat dhe përfaqësuesit e mbi 50 vendeve të Grupit të Kontaktit i informova për mbështetjen e FSK për trajnimin e trupave ukrainase në kuadër të Operacionit Interflex në Britani si dhe trajnimin për deminim për trupat ukrainase që jemi duke e realizuar në bashkëpunim me EUCOM, në Kosovë”, shkroi Maqedonci.

“Gjithashtu të pranishmit i njoftova për paketën e parë të mbështetjes ushtarake që do të dërgohet në Ukrainë gjatë javës së ardhshme e që përbëhet nga dhjetëra kamiona taktik, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake”, shtoi.

Për më tepër, Maqedonci ka bërë me dije se i ka njoftuar për koordinimin dhe përgatitjen e pakos së dytë mbështetese ushtarake “që përbëhet nga mijëra predha të mortajave që do të dërgohet së shpejti në Ukrainë me qëllim mbështetjen e njësive ushtarake të Ukrainës për rritjen e fuqisë së zjarrit indirekt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore