Lajme

“Javelin”-ët në “fokus të veçantë” të takimit Osmani-Hovenier


Vjosa Osmani dhe Jeffrey Hovenier

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi të enjten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ku në “fokus të veçantë” të takimit ishte aprovimi i kërkesës së Kosovës nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) për blerjen e sistemit të sofistikuar anti-tank “Javelin” dhe pajisjeve të tjera për Kosovën.

“Në fokus të veçantë gjatë këtij takimi ishte miratimi i Programit të Shitjeve Ushtarake (FMS) nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve. Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vlerësoi lartë punën e institucioneve në të dyja anët”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Osmani dhe Hovenier, sipas njoftimit për shtyp, diskutuan edhe për një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët dhe rikonfirmuan nevojën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit dhe bashkrëndimit të vazhdueshëm me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

Vlera e “Javelin”-it amerikan që Kosova dëshiron ta blejë, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa dhe 24 njësi për lëshimin e tyre– një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të Kosovës, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore