Lajme

Janjiç: Formati i dialogut do të ndryshojë, po zhvillohet në mënyrë burokratike dhe pa ndjenjën e realitetit


Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, Dushan Janjiç.

Dushan Janjiç – kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, këtë të shtune ka thënë se Marrëveshja Bazë për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, “është e detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se është obligim edhe politik, edhe ligjor”.

Ata që udhëheqin negociatat, thekson Janjiç, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “ende nuk e kanë kuptuar se ky është obligim i tyre moral dhe shoqëror si ndaj shoqërisë kosovare ashtu edhe ndaj asaj serbe”.

Formati aktual i dialogut, sipas tij do të ndryshojë, pasi që vlerëson se i njëjti format është përdorur prej kohësh, “që është një nga arsyet e krizës”, duke shtuar se i gjithë procesi zhvillohet “në mënyrë burokratike dhe pa ndjenjën e realitetit”, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, beson Janjiç, “do të ndryshojë rrjedhën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, ai thekson se duhet që të ketë bisedime me “serbët e Kosovës, jo vetëm me Listën Serbe” – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – por edhe me shqiptarët që jetojnë në Serbi, përkatësisht në Luginë të Preshevës, “në mënyrë që në fund të procesit të organizohet një konferencë ndërkombëtare” – që është propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe që ka marrë mbështetje ndërkombëtare, ndër ta edhe Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Lexo edhe këtë: Janjiç: ShBA, NATO dhe BE kanë rënë dakord me idenë e Ramës për konferencë – Kosova këtu ka një avantazh strategjik

Kosova, në prizmin e tij, “nuk është një konflikt i ngrirë, por një konflikt spirale, sepse gjithmonë ka një krizë që rritet dhe në të cilën numri i aktorëve dhe çështjeve zgjerohet”.

“Kemi hyrë në një fazë të dominuar nga kriza e sigurisë me elementë të militarizimit ushtarak dhe paramilitar, që është një histori krejtësisht e ndryshme në krahasim me kohën kur Hashim Thaçi i drejtonte negociatat nga pala kosovare”.

Për të, çështja e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) është krejtësisht “e parëndësishme”, sepse Kosova në situatën aktuale, përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “mund të sigurojë statusin e vëzhguesit, siç bëri Palestina”.

“Kur Kosova do të jetë anëtare plotësisht e barabartë e OKB-së në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, do të duhet të zgjidhet përmes zbatimit të Marrëveshjes për Normalizim dhe përmes zgjidhjes së statusit juridik ndërkombëtar të Serbisë, parashikoi ai.

Janjiç mendon se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – të cilin po e kërkojnë ndërkombëtarët nga Kosova që ta themelojë këtë mekanizëm – nuk është një mënyrë e mirë për zgjidhjen e problemit në mes të dy vendeve, “sepse Asociacioni nuk mund të marrë statusin e rajonit, gjë që e bën atë një ide të keqe”.

Ndërsa, ai paralajmëroi se rreziku i konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë “është i lartë dhe real”, por jo si një konflikt i gjerë i armatosur, por në kuptimin e “akteve terroriste të lokalizuara dhe kontrollit të grupeve kriminale dhe paraushtarake mbi disa territore”.

“Aktualisht rreziku është më i madh nga pala serbe, prandaj bisedimet me NATO-n janë shumë të dobishme, sepse Serbia duhet t’i çmontojë strukturat e tilla, por kjo nuk do të thotë shpërbërja e mbrojtjes civile, por kthimi i serbëve në mbrojtje civile dhe në polici.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore