Lajme

Janjiç: ShBA, NATO dhe BE kanë rënë dakord me idenë e Ramës për konferencë – Kosova këtu ka një avantazh strategjik


Dushan Janjiç

Dushan Janjiç – kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, thotë të kenë nisur përgatitjet për organizimin e konferencës ndërkombëtare me liderët e Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për zgjidhjen e problemit në mes të dy vendeve fqinje, pas propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas Janjiç-it, kjo nismë – e cila u mbështet publikisht nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel – u vendos që të bëhej për shkak se BE-ja e kuptoi se forma aktuale e dialogut Kosovë-Serbi “nuk jep rezultatet e pritura”.

I njëjti pohon se për një konferencë të tillë është dhënë drita jeshile nga Komisioni Evropian, NATO, ShBA, dhe “Këshilli i Ministrave të BE-së gjithashtu dha mbështetjen e tyre”.

Janjiç vuri në pah se për një konferencë ndërkombëtare është filluar që të flitet që nga viti 2016, por se sipas tij në atë kohë nuk kishte pajtueshmëri për një gjë të tillë.

“Ato ide nuk kaluan, ato kryesisht erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diplomatë që merreshin me konflikte, përfshirë Dejtonin (Marrëveshja që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, më 1995). Nuk pati përgjigje dhe më në fund Komisioni Evropian e kuptoi, fatkeqësisht kohët e fundit, se modeli aktual i dialogut është i pasuksesshëm dhe nuk do të çojë në rezultate, përveç se në kuadër të krizës së Kosovës është hapur një krizë e re – një krizë e sigurisë që mund të çojnë në konflikte në rajon”, ka deklaruar ai për median opozitare serbe “Danas”.

Ai shpjegon se, gjithçka në këtë konferencë do të ndodh brenda kornizës së modelit të përshkruar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për normalizimin, “pra BE-ja mbetet një ndërmjetësues”.

“Pjesëmarrës do të jenë disa nga vendet e BE-së që janë veçanërisht të interesuara. Këto janë vendet e QUINT-it, mund të anëtarësohen edhe disa nga vendet përreth, si Greqia dhe Hungaria, dhe do të vendoset brenda Bashkimit Evropian. Me siguri do të jetë SHBA, Britania e Madhe, si dhe përfaqësues të QUINT-i Group”.

Por, në vlerësimin e tij, organizimi i një konference të tillë do të hapë probleme për palën serbe.

“Nuk mund të vini vetëm në një konferencë të tillë. Ju duhet të bëni me ekipin negociator. Nëse asgjë, Serbia do të zbulojë se kush është në ekipin negociator. Mendoj se (Aleksandër) Vuçiç tani është në problem sepse duhet të krijojë një ekip negociator, duke qenë se ai u mbështet vetëm në administratë”, thekson ai.

Për dallim nga Serbia, Janjiç beson se Kosova, “ka një avantazh strategjik, sepse përkundër politikës së Albin Kurtit, e cila shkaktoi dëme, ajo ka njerëz, ekspertë dhe diplomatë shumë të fuqishëm me ndikim të fortë ndërkombëtar në ekipin negociator”.

“Serbia nuk mund ta refuzojë këtë vendim, është ‘merre ose lëre’, dhe nëse Beogradi vendos ta bëjë këtë, do të pasojnë sanksione”.

Përgatitja e konferencës, siç shpjegon Janjiç “do të ketë shumë aktivitete diplomatike”, duke shtuar se “nga e hëna kryeministrat e vendeve evropiane do të vijnë individualisht ose në emër të disa vendeve, për të parë se çfarë është puna e tyre dhe nëse do të përfshihen”.

“Këto janë vende me eksperienca luftërash mes tyre që përfunduan në aleanca, si vendet e Beneluksit, Vishegrad plus etj. BE-ja vendosi me vonesë, padyshim që është gati ta bëjë këtë, kështu që tashmë ka përgatitur anëtarët e saj. Ndërkohë që vendet anëtare po konsultoheshin, tashmë po bëhej puna përgatitore”, tregon ai.

“Strategjia e zvarritjes”, thotë Janjiç “duke shkaktuar incidente e zbatuar nga (Albin) Kurti dhe strategjia e fajësimit të Vuçiç-it ka kaluar”.

Marrëveshja e Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, do të jetë baza e kësaj konference, tregon Janjiç.

Vendimet që do të merren në konferencë janë të detyrueshme, potencon ai, “dhe në bazë të tyre i raportohen Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e miratoi këtë proces dhe këto vendime nuk duhet t’i kthehen këtij organi për vendimmarrje”.

“Garant për zbatimin e tij do të jenë pjesëmarrës në bisedë, si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga Serbia dhe Kosova. Ajo të kujton Dejtonin, me një ndryshim të rëndësishëm – Dejtoni u detyrua të ndalonte luftën, kështu që u bënë shumë kompromise, dhe kjo bëhet për të parandaluar shpërthimin e luftës. Kjo është një konferencë për stabilizimin e paqes”, elaburon ai.

“Është e lidhur edhe me anëtarësimin në BE, kur është fjala për Serbinë, pra anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, kur është fjala për Kosovën, kështu që konferenca mund të interpretohet si zhvillim”.

Sipas tij, nëse konferenca përfundon me sukses, “BE-ja do të hapë shpejt grupimet e saj, do të ndërhyjë me ndihmë financiare dhe nëse skenari është negativ, atëherë do të arrihen rezolutat e Këshillit të Sigurimit”.

“Ata harrojnë se kishte 12 rezoluta që paralajmëronin (Sllobodan) Millosheviç-in të mos shkojë në luftë. Paralajmëruan, pastaj anuluan zonën e ndalimit të fluturimeve… Sot thuhet se diçka ka ndodhur brenda natës. Nuk është. Kështu, edhe kjo konferencë nuk do të ndërpresë brenda natës rrugën evropiane të njërës apo tjetrës palë, por në bazë të asaj që pengon do të zbatohen masa mbështetëse dhe përshpejtuese, apo korrigjime të politikave të vendit pengues”, beson ai.

Konferenca, siç tregon Janjiç “zyrtarisht do të përfundojë me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme, e cila do ta bëjë atë të detyrueshme ndërkombëtarisht dhe publikisht për të gjitha palët”.

“Nuk do të jetë fundi i historisë, por as Rambuje (1999), që mund të grindesh dhe pastaj të vish në Paris. Ajo lojë ka ikur dhe Kurti dhe Vuçiç duhet ta harrojnë. Nuk ka më kohë për të blerë. Ata e ndoqën lepurin në gropë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore