Sport

Ja si renditen ekipet në vazot e Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm


Liga e Kampionëve ka bërë zyrtare shpërndarjen e ekipeve të kualifikuara, në katër vazo, përpara se të hidhet shorti përfundimtar për fazën e grupeve, pasi të mesohen edhe skuadrat që do të vijnë nga fazat kualifikuese dhe play-off.

Sipas rregullave të UEFA, në vazon e parë, kalojnë automatikisht ekipi që fiton Ligën e Kampionëve dhe ai që fiton Ligën e Europës. Këtyre ekipeve u shtohen edhe ekipet që kanë fituar ligat më të mëdha në Europë, pra kampioni i Premier Ligës, Bundesligës, La Ligës, Serisë A, Ligës së Parë dhe Ligës NOS.

Kështu, vazo e parë është e kompletuar me tetë ekipe: Chelsea, Villarreral, Bayern Munich, Manchester City, Atletico Madrid, Inter, Sporting dhe Lille.

Në vazon e dytë, tretë dhe të katërt janë ekipet që kanë koeficentët më të lartë. Pjesë e vazos së dytë janë: Real Madrid, Barcelona, Juventus, PSG, Manchester United, Liverpool, Sevilla dhe Borussia Dortmund.

Në vazon e tretë deri tani janë pesë ekipe: Porto, Ajax, Leipzig, Atalanta dhe Zenit. Ndërsa, në vazon e katërt janë deri tani vetëm dy ekipe të vendosura: Milan dhe Wolfsburg.

Pjesa tjetër e vendeve bosh në vazot tre dhe katër do të plotësohet me ekipet e dala nga play-off dhe kualifikueset e Ligës së Kampionëve, ku për këtë sezon, pjesë e tyre do të jetë ekipi i Teutës së Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore