Shëndet

Ja se si manifestohet mungesa e vitaminës D: Dhe si ta kompensoni atë


Ilustrim

Disa kërkime kanë treguar se mungesa e vitaminës D prek deri në një miliardë njerëz në mbarë botën. Në këtë kontribuojnë ekspozimi i pamjaftueshëm i lëkurës në diell, si dhe konsumimi i pamjaftueshëm i ushqimeve të pasura me këtë vitaminë.

Vitamina D gjendet në vajin e peshkut, produktet e qumështit, mishin, kërpudhat dhe të verdhat e vezëve. Për të sintetizuar vitaminën D, mjafton një qëndrim normal jashtë, me 10 deri në 15 minuta ekspozim të duarve, fytyrës ose këmbëve.

Edhe pse nuk ka asnjë provë që zvogëlon rrezikun e infeksionit apo sëmundjeve të zemrës, ekspertët mendojnë se mund të përfitoni prej saj gjatë një pandemie. Suplementet e vitaminës D do të përmirësojnë shëndetin e njerëzve që nuk e kanë mjaftueshëm atë.

Disa studiues sugjerojnë se mungesa e vitaminës D mund të shoqërohet me rezultate më të këqija nëse dikush infektohet me virusin korona. Por faktorët kronikë të rrezikut, si sëmundjet e zemrës, janë gjithashtu të shpeshtë te këta pacientë, duke e bërë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve të duhura.

John Rhodes, profesor emeritus i mjekësisë në Britaninë e Madhe, shpjegoi më parë për BBC se vitamina D ka veti anti-inflamatore dhe se ka disa studime që sugjerojnë se ajo mund të lehtësojë reagimin imunitar të trupit ndaj viruseve.

Kjo mund të jetë e rëndësishme në pacientët me sëmundje të rënda koronare të zemrës, kur dëmtimet e rënda të mushkërive mund të rezultojnë nga një “stuhi citokine” inflamatore në përgjigje të virusit, megjithëse nevojiten shumë më tepër kërkime për ta studiuar këtë.

Kjo vitaminë luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e përqendrimit të kalciumit në trupin tonë, kontribuon në forcimin e kockave dhe shëndetin e dhëmbëve, si dhe në forcimin e tonit të muskujve.

Suplemente te vitmanies D
Simptomat e mëposhtme tregojnë mungesën e vitaminës D në trup:
Kockat e brishta

Trupi ndalon ndërtimin e masës kockore rreth moshës 30 vjeçare dhe mungesa e vitaminës D përshpejton simptomat e osteoporozës. Njerëzit me mungesë të vitaminës D në trup janë më të prirur ndaj frakturave të kockave sesa njerëzit që nuk kanë mungesë të asaj vitamine.

Së bashku me aftësinë e saj për të ndërtuar kocka, vitamina D gjithashtu forcon muskujt. Muskujt e fortë parandalojnë rëniet, të cilat shpesh janë shkaku i paaftësisë dhe madje edhe vdekjes te të moshuarit.

Dhimbje të shpeshta të kockave

Dhimbjet delikate por të vazhdueshme të kockave dhe kyçeve mund të jenë rezultat i sëmundjeve të tilla si artriti, osteomalacia ose fibromialgjia. Megjithatë, mungesa e vitaminës D mund të jetë edhe shkaku i kësaj ndjenje të pakëndshme.

Çfarë tjetër tregon mungesën e vitaminës D?

Humori i keq

Depresioni klinik në shumicën e rasteve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e vitaminës D. Edhe pse nuk ka prova të qarta për këtë, ekspertët besojnë se mungesa e vitaminës D ndikon në sekretimin dhe sasinë e hormonit të serotoninës, i cili përcakton disponimin.

Djersitja e tepërt

Djersitja e tepërt ka shumë shkaqe dhe një prej tyre është mungesa e vitaminës D në organizëm.

Dobësi dhe lodhje

A ndiheni të lodhur dhe të dobët edhe pas tetë orësh gjumë të mirë? Mund të vuani nga mungesa e vitaminës D. Për forcën e trupit nuk është përgjegjës vetëm hekuri, por edhe kjo vitaminë. Lajmi i mirë është se muskujt rigjenerohen shpejt dhe ju mund të përmirësoni tonin e muskujve duke konsumuar ushqime që përmbajnë vitaminë D.

Niveli i vitaminës D në trup mund të kontrollohet me analiza laboratorike. Nëse vendosni të merrni suplemente të vitaminës D, dozat e rekomanduara janë:

Fëmijët e moshës 1-10 vjeç nuk duhet të marrin më shumë se 50 mikrogramë në ditë;

Foshnjat (nën 12 muaj) nuk duhet të marrin më shumë se 25 mikrogramë në ditë;

Të rriturit nuk duhet të marrin më shumë se 100 mikrogramë në ditë dhe, nëse tashmë janë duke marrë suplemente, sasia e rekomanduar është 10 mikrogramë në ditë.

Mjekët ndonjëherë mund të rekomandojnë doza më të larta për pacientët me mungesë të provuar të vitaminës D. Disa njerëz me kushte të caktuara mjekësore, si problemet me veshkat, nuk mund ta marrin vitaminën D në mënyrë të sigurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore