Sport

Ja pse Ramsey është kaq i rëndësishëm për Pirlo-n


Robert Pires-i ish legjenda e Arsenal-it dhe kampioni i Kupës së Botës me Francën, ka folur rreth situatës së Aaron Ramsey-t tek Juventus-i. Francezi e ka cilësuar uellsianin si shumë të rëndësishëm për formacionin e Andrea Pirlo-s.

Pires-i tha se ishte i kënaqur nga performanca e mirë e Ramsey-t. Sa herë që luan ai është i dobishëm për ekipin, si në rastin me Sampdoria-n.

“Juventus-i ka konkurencë shumë të madhe, në çdo repart ka lojtarë të fortë. Unë mendoj se po e bën diferencën (Ramsey) edhe këtu siç e bëri te Arsenal-i, sepse nuk është e lehtë të luash në një mesfushë kaq cilësore”-tha Pires-i.

Francezi ka folur dhe për Pirlo-n, duke e theksuar faktin që është një trajner i ri që po zbulon sesa e vështirë është puna e trajnerit. Megjithatë e ka pritur që Pirlo të mbështetej te Ramsey, pasi ky i fundit është lojtar i fortë dhe profesionist. Cilësi që janë shumë të rëndësishme për trajnerët.

“Është inteligjent dhe përshtatet kudo. Juve është ekip i madh dhe aty po përmirësohet. Ka nevojë të qëndrojë edhe ndonjë sezon dhe më pas të rikthehet tek Arsenal-i. Është bindja ime”- ka shtuar Pires-i.

Më tej francezi ka vazhduar duke thënë se Ramsey do të ishte lojtari perfekt për stilin e lojës së Mikel Arteta-s, por që është lojtar i Juves dhe duhet të përqëndrohet tek Zonja e Vjetër, për të fituar tituj.

Gjithashtu Pires-i është ndalur të flasi edhe për bashkëkombasin, Adrien Rabiot-in. Për të cilin u shpreh se i pëlqen shumë, jo sepse është francez, por sepse tek Juve ka marrë një dimesion tjetër dhe për Pirlo-n është lojtar i rëndësishëm.

Më tej Pires-i ka folur dhe rreth objektivit të bardhezinjëve, Ligës së Kampionëve. Sipas tij, Juventus-i këtë vit mund t’ia dalë, pasi në ekip ka një lojtar si Cristiano Ronaldo, që kërkon të fitoj sërish, por pa harruar Bayern Munich-un, Manchester City-n dhe PSG-ën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore