Lajme

Izrael-Iran: Në mënyrë diskrete, monarkitë e Gjirit kanë zgjedhur kampin e tyre


Ndryshe nga Jordania, forcat ajrore të së cilës rrëzuan dronët iranianë që shkonin drejt Izraelit të shtunën në mbrëmje, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe luajtën një rol të domosdoshëm në neutralizimin e këtij sulmi por me fshehtësi të plotë.

Të nënshtruar nga Shtetet e Bashkuara, Riadi dhe Abu Dhabi ranë dakord fshehurazi të ndajnë informacionin e radarit dhe inteligjencën mbi planet e sulmit të Iranit, sipas “Wall Street Journal”.

Teherani kishte informuar dy vendet e Gjirit për synimet e tij dy ditë më parë, duke i lejuar ata të mbronin hapësirën e tyre ajrore.

Ky informacion u transmetua te Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë kështu Washingtonit dhe Izraelit “paralajmërim thelbësor paraprak”, specifikon e përditshmja.

Qeveritë saudite dhe irakiane lejuan gjithashtu avionët cisternë të Forcave Ajrore të SHBA-ve të qëndrojnë në hapësirën e tyre ajrore për të mbështetur patrullimet e SHBA-ve dhe aleatëve gjatë operacionit, sipas al-Monitor.

Këto janë, në thelb, detajet e rralla që kanë rrjedhur mbi këtë bashkëpunim të paprecedentë të sigurisë midis Tel Avivit, Washingtonit, Riadit dhe Abu Dhabit, ndërkohë që Republika Islamike goditi drejtpërdrejt shtetin hebre për herë të parë.

Administratat e njëpasnjëshme të SHBA-ve kanë ushtruar presion ndaj vendeve arabe që të ndajnë informacionin e mbrojtjes ajrore për më shumë se një dekadë, sipas al-Monitor.

Në bashkëpunim me shtetet evropiane, një plan rajonal i mbrojtjes për rrëzimin e dronëve dhe raketave shërbeu megjithatë si bazë për neutralizimin e përgjigjes iraniane.

Kjo duke u mbështetur në një rrjet sensorësh të vendosur në vende të ndryshme, duke përfshirë Tel Avivin.

Disa shenja të funksionimit të këtij sistemi të quajtur MEAD (Aleanca e Mbrojtjes Ajrore të Lindjes së Mesme) janë vërejtur që nga fillimi i luftës në Gaza.

Frika nga hakmarrja

Duke e parë atë si një mënyrë për të izoluar Iranin, ndërkohë që Izraeli ishte vetë i izoluar në rajon për shkak të masakrës në Gaza – deri në përgjigjen iraniane – Tel Avivi mirëpriti koordinimin me vendet arabe.

“Bota është kundër Iranit”, tha Benny Gantz, një anëtar i kabinetit të luftës izraelite.

“Kjo është një arritje strategjike që ne duhet ta shfrytëzojmë për sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.

Në realitet, ky është testi i parë i arkitekturës së sigurisë midis Izraelit dhe shteteve sunite të dëshiruar nga Washingtoni, në vazhdën e Marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020 dhe integrimit të Izraelit në Komandën Qendrore Amerikane (Centcom) të Lindjes së Mesme në 2021.

Por shtetet e Gjirit kanë hezituar gjithmonë ndaj idesë së rritjes së bashkëpunimit me aleancën izraelito-amerikane, nga frika e reprezaljeve iraniane.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mbi të gjitha, përballen me një sfidë të madhe: mbajtjen e partneriteteve të tyre të sigurisë me Shtetet e Bashkuara – dhe (në)drejtpërsëdrejti me Izraelin – pa antagonizuar Iranin.

Skenari i zjarrit rajonal i përshkruar të shtunën në mbrëmje është një makth për Riadin dhe Abu Dhabin, të cilët e kanë bërë stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik një prioritet kryesor, në veçanti Princi i Kurorës Saudite, Mohammad bin Salman dhe plani i tij i diversifikimit Vizioni 2030.

E shqetësuar për të ruajtur një pamje të ekuilibrit, mbretëria vazhdon të ushqejë lidhjen diplomatike me Republikën Islamike, të rivendosur në mars 2023.

Ndryshe nga shumica e vendeve perëndimore, Arabia ka dënuar sulmet izraelite kundër aneksit konsullore iraniane në Damask më 1 prill.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, mori një telefonatë të dielën në mbrëmje nga homologu i tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, gjatë së cilës ata diskutuan zhvillimet në rajon.

“Politikisht, shtetet e Gjirit kanë mbrojtur pozicionet e tyre duke kritikuar sjelljen mizore të Izraelit dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar gjatë luftës, ndërsa sinjalizojnë gatishmërinë e tyre të vazhdueshme për të ndjekur përpjekjet e normalizimit me Izraelin, duke i lejuar ata të dërgojnë sinjale të ndryshme për partnerë të ndryshëm”, nënvizon Hassan al Hassan, studiues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Një pakt amerikan i mbrojtjes është gjithashtu pjesë e kërkesave të Riadit për të normalizuar marrëdhëniet e tij me Tel Avivin.

Marrë nga “L’Orient Le Jour”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore