Shqipëria

Itali/ Goditet banda italo-shqiptare, 20 të arrestuar


Në Itali, policia ka goditur një tjetër bandë italo-shqiptare që furnizonte me drogë grupet e tjera kriminale.

Referuar policisë, kane rënë në pranga 20 shqiptarë dhe italianë, ku 15 kanë përfunduar në burg dhe pesë të tjerë në arrest shtëpie.

Të arrestuarit akuzohen për krijimin e grupit të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin dhe tregtimin e drogës, si dhe armëmbajtje pa leje.

Mësohet se hetimi ka nisur kur oficerët e policisë, duke ndjekur një kanal të mundshëm furnizimi me drogë në sheshin e tregut Pioltello, në zonën e Milanos, gjetën një sërë personash me origjinë shqiptare, banues në disa bashki të zonës së Bergamos.

Sakaq, hetimi është fokusuar në një organizatë kriminale, me origjinë shqiptare dhe italiane, aktive midis Bresciano-s, Bergamos dhe disa zonave të Milanos.

Grupi, për t’u vendosur në disa sheshe të trafikut të drogës, kryente akte të bazuara në dhunë, ndonjëherë edhe me përdorimin e armëve.

Sipas hetuesve, organizata kriminale do të kishte mundur të furnizonte kryesisht heroinë dhe kokainë për grupe të tjera kriminale që vepronin në Italinë qendrore dhe veriore.

Nga ana tjetër, bëhet me dije se policia ka sekuestruar 1.4 kilogramë kokainë, afërsisht 14 kilogramë heroinë, 100 kilogramë lëndë prerëse, rreth 17 mijë e 500 euro dhe dy pistoleta gjysmë automatike.

Gjithashtu nga kontrollet e shumta janë sekuestruar rreth 74 mijë euro dhe është arrestuar një person për mbajtjen e 700 gramësh kokainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore