Lajme

Ismail Kadare bëhet kosovar


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadares, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media.

“Presidentja Vjosa Osmani sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës”.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t’i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Presidentja, në qershor kishte dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.

Përmes një ceremonie të organizuar nga Osmani, Kadareja ishte vlerësuar si “shembull i vyer për popullin shqiptar”.

“Si mirënjohje në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, zotin Ismail Kadare vepra e të cilit është enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre, dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe”, kishte thënë ajo.

Gjithashtu, e para e shtetit deklaroi se Kadareja ka qenë dhe do të vazhdoj të mbesë referencë për të shqiptarët.

Kush është Ismail Kadare? 

Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, akademik, ish-deputet i Kuvendit Popullor dhe zëvendës kryetar i Frontit Demokratik.

Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese.

Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris.

Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.

Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme, frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.

Kadare më 23 qershor të 2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias per Letersi”, nje nga çmimet me prestigjoze letrare në botë.

Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi. Ismail Kadare shkroi edhe vepren e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

I dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore