Lajme

Ismail Kadareja dekorohet me urdhrin “Hasan Prishtina” nga Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shkrimtari, Ismail Kadare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”.

Përmes një ceremonie të organizuar të mërkurën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kadareja është vlerësuar si “shembull i vyer për popullin shqiptar”.

“Si mirënjohje në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, zotin Ismail Kadare vepra e të cilit është enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre, dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit deklaroi gjithashtu se Kadareja ka qenë dhe do të vazhdoj të mbesë referencë për të shqiptarët.

“Ju keni qenë vazhdimisht pikë referimi për shqiptarët. Nëpërmjet krijimtarisë suaj ju keni dhunën shembullin për shqiptarët. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallë kush historinë e tradita shqiptare. Ju e keni mbrojtur e keni promovuar kulturën shqiptare, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptarë”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shkrimtari, Ismail Kadare.

Kurse, Kadareja është shprehur se e konsideron “fat të rrallë” që një popull i tërë ta nderojë.

“Jam shumë i prekur që jam në mes të jush, për këtë nderim kaq të madh. Çdo njeri çdo shqiptar do ta ëndërronte gjë të tillë. Është fat i rrallë që një popull të të nderojë”, ka thënë Kadareja pasi është dekoruar.

Ai tutje ka potencuar se nuk ka ndonjë nderim më të madh sesa ai që e ka përjetuar të mëkurën.

“Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmba nga forcat e huaja por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengoj një popull që të jetoj i lirë”.

“Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptarë. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”.

Ismail Kadare, është njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, akademik, ish-deputet i Kuvendit Popullor dhe zëvendëskryetar i Frontit Demokratik.

Si shkrimtar ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore