Lajme

Ish-zëvendëskryeministres malazeze s’iu lejua hyrja në Serbi, Milatoviç: Praktikë që duhet lënë pas nëse dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore


Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka reaguar pas vendimit të autoriteteve serbe për të ndaluar hyrjen e ish-ministres së Çështjeve Evropiane dhe njëherit ish-zëvendëskryeministres të Malit të Zi, Jovana Maroviç-it për në Serbi, duke deklaruar se praktika të tilla duhen lënë pas nëse ka aspirata për marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Sapo fola me Jovana Maroviç. Ajo është mirë dhe ka mbërritur në Mal të Zi. Jam i befasuar që asaj iu ndalua hyrja në Serbi, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e saj shumëvjeçar në sektorin civil si në Mal të Zi ashtu edhe në rajon. Jam i sigurt se Jovana nuk është kërcënim për sigurinë e Serbisë”, ka shkruar Milatoviç në platformën sociale të emëruar rishtazi si “X”.

Ballkani Perëndimor duhet të punojë për t’i hapur kufijtë për qytetarët edhe kur ata janë kritikë ndaj autoriteteve dhe politikave nëse aspirojmë Bashkimin Evropian.

Kujtojmë se ish-ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviç, mbrëmë ka njoftuar se i është ndaluar hyrja në Serbi.

Ish-zëvendëskryeministrja malazeze, Jovana Maroviç, njoftoi të mërkurën se nuk iu lejua hyrja në Serbi me arsyetimin e “mbrojtjes së sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

“Faleminderit Aleksandar Vuçiç që më bëre heroinë”, shkroi Maroviç në rrjetin social X, pas ndalimit të hyrjes së saj në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore