Lajme

Ish-shefi i CIA-s: Ukraina do të nisë një kundërofensivë me armë të furnizuara nga Perëndimi


Ish-shefi i Qendrës së Inteligjencës Amerikane (CIA), David Petraeus, deklaroi se pret një kundërofensivë të re ukrainase në muajt e ardhshëm me ripushtimin e territoreve të tjera në jug të vendit.

Lajmi u bë i ditur nga botimi italian “La Stampa”, duke cituar intervistën me gjeneralin e ushtrisë amerikane dhe veteranin e luftës.

“Megjithëse linjat e betejës janë karakterizuar nga njëfarë statike muajt e fundit, me Rusinë dhe Ukrainën të përqendruara kryesisht në përforcimin e ekipeve të tyre përkatëse, ndjenja ime është se në të ardhmen e afërt do të shohim një kundërsulm të ri nga forcat e Kievit”, u shpreh Petraeus.

Sipas tij, qëllimi do të jetë çlirimi i pjesëve të tjera të territorit në jug të vendit që ishin pushtuar nga trupat e Moskës në muajt e parë të konfliktit.

Ish-kryespiuni amerikan vërejti se presidenti Vladimir Putin po përballet me një sfidë shumë të vështirë.

Ukraina ka hequr iniciativën strategjike nga Rusia dhe forcat e saj tani janë më të mëdha dhe më të afta se ato të Moskës, shtoi gjenerali amerikan.

“Ukraina ka bërë shumë më mirë se Rusia, veçanërisht në rekrutimin, trajnimin, pajisjen, organizimin dhe vendosjen e forcave në terren gjithnjë në rritje. Ndihmuar jashtëzakonisht – sigurisht – nga Shtetet e Bashkuara, vendet e NATO-s dhe partnerët e tjerë perëndimorë”, thotë ai për “La Stampa-n”.

Për Petraeus-in, për momentin Putin duket se nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

“Armatimet perëndimore do të vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar në sigurimin e epërsisë së forcave ukrainase. Në veçanti, armët dhe municionet nga Shtetet e Bashkuara, si dhe forma të tjera të ndihmës ushtarake që i janë dhënë Kievit, kanë qenë deri më sot marramendëse për sa i përket sasisë”, saktësoi ish-zyrtari gjatë intervistës.

Kujtojmë që vetëm SHBA-të kanë dhënë më shumë se 25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Furnizimet që kanë bërë diferencën, sipas ish-shefit të CIA-s, janë disa në veçanti: si raketat me rreze veprimi prej 80 kilometrash, sasia masive e municioneve të artilerisë së rëndë (rreth një milion fishekë) dhe pjesëve të rënda të artilerisë, sistemet e avancuara balistike dhe të mbrojtjes ajrore, dhe së fundmi automjetet e blinduara.

“E përsëris, këto janë sasi të jashtëzakonshme dhe kam besim se qeveritë dhe financimet do të vazhdojnë me këtë përmasa gjatë vitit 2023. Një vit gjatë të cilit shpresoj të shohim furnizimin e dronëve të tjerë modernë, dhe raketave precize me rreze më të gjatë, tanke gjermane Leopard II dhe sisteme të tjera anti-dron”, ravijëzoi Petraeus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore