Kosova

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës i akuzuar për dallavare me tender: Kam punuar në dobi të buxhetit


Ilustrim

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, i akuzuar për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit, ka thënë se çdoherë ka punuar në dobi të buxhetit.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku bashkë me të po akuzohen edhe tre zyrtarët tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

I akuzuari Betim Reçica në fjalën hyrëse ka thënë se prokuroria speciale nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë që të vërtetojë se është kryes i veprave penale për të cilat akuzohet.

“Nga analiza e aktakuzës do të vëreni se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të ligjshme dhe nuk përmban asnjë provë të ligjshme më të cilën do të vërtetohet se unë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm apo pozitave tjera kam kryer ndonjë vepër penale. Në ministri punoj që 14 vite asnjëherë nuk kam pasur ndonjë aktakuzë, çdo herë kam punuar në dobi dhe kursim të buxhetit. Për mua ka qenë absurde dhe e pakuptueshme se si nuk përfillet një organ gjyqësor si OShP-ja”, ka thënë i akuzuari Reçica.

Ai ka thënë se po akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare për shkak që i kishte kompensuar me paga shtesë punëtorët e ministrisë e që sipas tij, ky kompensim ka ndodhur duke u bazuar në ligj dhe marrëveshje ndërkombëtare, ku sipas tij, në Qeverinë e Kosovës janë aprovuar dhe votuar tri projekte që kanë interes kombëtar.

“Këta punëtor e përbëjnë zinxhirin e punës së ministrisë dhe si të tilla kompensimet kanë qenë komplet ligjore. Theksoj se përveç asaj që ka qenë ligjore dhe janë kompensuar punëtorët nuk ka asnjë element që unë muj me u njollos dhe mu akuzu kinse kam përfituar në emër tim apo të dikujt tjetër, çdo rrogë është kompensim për punët e jo përfitim i kundërligjshëm”, ka thënë Reçica.

Në lidhje me veprën penale “shpërlarje e parave”, i akuzuari ka thënë se për të kjo është njollosje publike por edhe personale, pasi sipas tij, pasuria e tij është publike dhe e deklaruar.

Për këto arsye, ai ka kërkuar nga gjykata që ndaj t’i të merret aktgjykim lirues.

Prokurorja Speciale Habibe Salihu ka thënë se gjatë shqyrtimeve pasi të prezantohen dhe administrohen provat e propozuara në aktakuzë, dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit janë fajtor ashtu siç thuhet në aktakuzë, të cilët me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesi i Avokaturës Shtetërore Bedri Krasniqi ka thënë se e mbështet në tërësi aktakuzën e PSRK-së, pasi sipas tij MI-së si pasojë e veprimeve nga ana e të akuzuarve i është shkaktuar dëm material, ndërsa në lidhje me kërkesën pasurore-juridike ai ka deklaruar se do ta precizojë në fazën e mëtutjeshme.

Përfaqësuesi i operatorit ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, ka thënë se e konsiderojnë veten si palë e dëmtuar, pasi sipas tij, në vlerësimin e parë ishin shpallur fitues kurse pas rivlerësimit ishte shpallur fitues i tenderit një tjetër kompani.

Përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Sallahu”, avokati Flamur Bllacaku ka thënë se edhe sipas ekspertizës është vërtetuar se janë palë e dëmtuar dhe se do të paraqesin edhe kërkesë pasurore-juridike.

Përfaqësuesja e kompanisë “Al Trade”, avokatja Miranda Haxhiu ka thënë se nuk parashtrojnë kërkesë pasurore- juridike, pasi nuk e konsiderojnë veten palë të dëmtuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Florin Vertopi ka thënë se kjo aktakuzë është bazuar në prova të papranueshme, prandaj sipas tij, provat ishin nxjerrë nga hetuesit e Departamentit Anti Korrupsion i cili ishte themeluar në vitin 2010, por ishte shuar në 2020, pasi ishte themeluar në kundërshtim me ligjin.

Ai ka thënë se aktakuza mbështetet me 23 prova materiale më konkretisht në kontrata në të cilat potencohet se kinse ka palë të dëmtuar, ndërsa sipas avokatit, të dëmtuarit e pretenduar nuk janë dëgjuar asnjëherë.

“Nga 15 dëshmitarët, 13 prej tyre janë marrë në cilësi të të dyshuarit në polici, vetëm dy deklarata janë marrë prej Bekim Reçices (vëllau i të akuzuarit Betim Reçica) i cili nuk është njoftuar me të drejtën që nuk e ka obligim të deklarohet nëse është familjar i të akuzuarit. Do të bindeni se eksperti i prokurimit nuk është as ekspert ai është drejtor i administratës në KGJK. Në mungesë të provave jam i bindur se do të merrni aktgjykim lirues”, ka thënë avokati Vertopi.

Mbrojtësi i Isa Berishës, avokati Florent Latifaj ka thënë se i mbrojturi i tij po akuzohen për votat e tij në vlerësimin e tenderit, ndërsa sipas tij, roli i komisioni në të cilit ka qenë pjesë i akuzuari Berisha ka qenë këshillëdhënës e jo obligativ, ndërsa tha se para këtij komisioni ka qenë një komision tjetër i përbërë nga pesë anëtar.

Ai tha se OShP-ja çështjen e kishte kthyer në rivendosje për shkak se ka vlerësuar se komisioni i parë ka gabuar në rivlerësime nga pesë anëtarët e komisionit, ndërsa komisioni i dytë pjesë e të cilit ka qenë i akuzuari Berisha, avokati tha se i kanë dhënë rekomandimet e tyre, ku më pas çështja ka kaluar në OSHP, e cila tha se e ka pasur rolin vendimtar.

Edhe mbrojtësi i Mirdit Eminit, avokati Driton Musliu ka thënë se vet prokuroria ka gabuar kur e ka cilësuar si përgjegjës për vepër penale të mbrojturin e tij, pasi sipas Musliut, komisionin rivlerësues e ka cilësuar gabimisht si vendimmarrës edhe pse OSHP-ja në fund i ka vërtetuar të gjitha vendimet.

Ndërsa sipas tij, prokurorja gabimisht ka cilësuar se kriter për fitimin e tenderit ka qenë çmimi më i ulët, ndërsa në dosje të tenderit përveç çmimit më të ulët ka qenë edhe që operatori ekonomik të jetë i përgjegjshëm dhe çmimi më i lirë.

Mbrojtësi i Leonora Limanit, avokati Alban Makolli ka mbështetur fjalët hyrëse të avokatëve Latifaj dhe Musliu pasi sipas tij, veprimet e të mbrojturit të tij lidhen me veprimet e të akuzuarit Berisha dhe Emini.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Besim Kumnishta, i cili ka deklaruar se vëllau i të akuzuarit Betim Reçica, dëshmitari Bekim Reçica kishte huazuar nga ai dhe vëllezërit e tij 30,000 euro.

Ai ka thënë se posedon një autoservis të veturave dhe se me familjen e të akuzuarit Reçica njihen për shkak se jetojnë në të njëjtën lagje.

Dëshmitari tha se vëllau i të akuzuarit Reçica, Bekim Reçica gjatë viteve 2019-2020 i kishte kërkuar 30,000 euro borxh për blerjen e një veture “Audi A7”, që sipas dëshmitarit ai i kishte thënë se e ka gjetur me çmim të ulët në Gjermani për shkak të një defekti që ka pasur vetura.

Pasi dëshmitari Bekim Reçica ia kishte kërkuar paratë, dëshmitari tha se pasi ishin marrë vesh me vëllezërit e tij që t’ia huazonin këto para, ai shumën prej 30,000 euro përmes bankës ia kishte dhënë borxh dëshmitarit Bekim Reçica.

“Marrëveshja ka qenë që kur të shitet vetura ka ma na i kthy paratë”, ka thënë dëshmitari, i cili ka thënë se nuk kishin diskutuar për mënyrën e kthimit të këtyre parave.

Prej 30 mijë euro dëshmitari tha se kishte arritur t’i kthejë vetëm 9,000 euro, ndërsa për kthimin e parave tha se nuk ishin dakorduar se kur mund t’ia kthejnë pasi sipas tij, ata ishin shokë të ngushtë.

“Unë i besoj Bekimit dhe besoj që ka me na i kthy paratë. Betimi e di që ka punu një kohë të gjatë në KFOR së bashku me bashkëshorten e tij dhe gjendjen financiare e ka pasur të mirë”, ka thënë dëshmitari.

Ndryshe, para fillimit të kësaj seance, i dëmtuari Naim Sallahu ka deklaruar se është kërcënuar nga i akuzuari Betim Reçica dhe dy personat që kishin qenë me të Arlind Reçica dhe Petrit Reçica.

“Mu drejtuan pse po shan, ndërsa unë ju thash se jam ardhë si palë e dëmtuar”, ka thënë Sallahu, të cilin deklarim e ka kundërshtuar i akuzuari Reçica, pasi sipas tij, Sallahu është duke shpifur.

“Lidhur me këta që tha i dëmtuari është fakt që jam moralisht i befasuar se si është në gjendje me shpifë dhe mos me tregu të vërtetën, çështja ishte jo siç e tha Z.Sallahu por siç është në vijim: avokati im Florin Vertopi pasi e pau një bisedë të Naim Sallahut dhe prokurores, iu drejtua prokurores së është mirë me na tregu edhe neve çka po diskutohet, derisa avokati fliste me prokuroren, Z.Sallahu shahu me nënë avokatin, nuk pat kurrfarë kërcënimi”, ka thënë Reçica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore